Lajme
Hipokrizia e Visar Ymerit | Ish-kreu i LVV-së mundohet t’ia lehtësojë punën Kurtit, i bënë thirrje ta themelojë “Zajednicën”
Demokracia
20:36 | 12 Janar 2023

Share:

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, që sot shfaqet nëpër studio televizive si analist i pavarur, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, me të cilin dikur e kundërshtonin dhunshëm themelimin e Asociacionit me garanci nga SHBA-ja, që ta themelojë atë. Por, një qëndrim i tillë e nxjerr Ymerin si hipokrit, pasi që ai si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshtonte ashpër themelimin e Asociacionit.

Ymeri sot ka thënë se është një lajm i mirë angazhimi shumë më intensiv i SHBA-së, sepse kjo është një siguri më e madhe për Kosovën në dy rrafshe.

“Së pari është një lajm shumë i mirë që Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë një angazhim shumë më intensiv, sepse kjo është një siguri e madhe për Kosovën në dy rrafshe. E para është se përgjatë kësaj historisë së vonë të Kosovës ka qenë ShBA, ato që më së shumti e më së miri e kanë ndihmuar Republikën e Kosovës, veçanërisht në etapat më të vështira të saj. E dyta është që ShBA-të me fuqinë që e kanë janë garanti i vetëm që dialogu mund të përfundojë dhe marrëveshja mund të arrihet, gjë që është në interes të Kosovës”, tha ai për EO.

Më tej, Ymeri ka thënë se SHBA-ja po e mbështet Asociacionin brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. Por, këtë mbështetje, SHBA-ja e kishte edhe gjatë kohës kur kundërshtohej nga Ymeri e Kurti bashkë.

Ymeri ka thënë se për shkak të kësaj, Qeveria e Kosovës duhet të ketë një besim më të madh në këtë proces.

“Kohëve të fundit që ShBA-ja mbështet themelimin e Asociacionit i cili i merr parasysh vërejtjet që janë dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë drejtim mendoj që kjo është një siguri për Republikën e Kosovës, që ky Asociacion të mos jetë diçka që do ta pengonte funksionalizimin e Republikës dhe do ta dëmtonte në një farë mënyre sovranizimin e saj. Në këtë drejtim mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të ketë më shumë besim në këtë proces dhe të hyj në të me një siguri pak më të madhe, e të jetë më aktive veçanërisht në këtë temë e cila natyrisht që është temë e ndjeshme dhe që është diskutuar për një kohë të gjatë në Kosovë”, tha ai.

Sa i takon deklarimeve të Chollet, Ymeri ka thënë se Asociacioni është bërë urgjent për shkak të krijimit të vakumit institucional.

“E shoh këtu aktualisht është që për sa kohë që para asaj që ndodhi në veri, Asociacioni shihej si një lloj monedhe kusuritje në raport me njohjen që duhet të vijë nga Serbia, tash Asociacioni na është bërë urgjent për shkak të krijimit të vakumit institucional në pjesën veriore të Kosovës, gjë që na kthen prapa, pra kështu ka qenë situata në vitin 2013 kur atëherë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ishte nënshkruar si marrëveshje edhe për shkak të nevojës për t’i integruar serbët e pjesës veriore në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. Edhe tash e njëjta gjë është duke na u përsëritur edhe për shkak të gabimeve tona”, tha ai.

Por, Ymeri kur ishte kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e kundërshtonte edhe me dhunë themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe.

Në një konferencë të thirrur për media në vitin 2015, Ymeri në cilësinë e kryetarit të LVV-së thoshte ky Asociacion nënkupton fundin e Republikës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Acociacioni, sipas tij, do të jetë kushti kryesor, i cili do të kushtëzojë çdo veprim brenda Kosovës dhe do të ndërhyjë drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik.

“ Isa Mustafa nuk mund të jetë më kryeministër. Nëse ai nuk jep dorëheqje, duhet të dorëheqet e gjithë Qeveria”, kishte thënë Ymeri.

Por, qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar që nga koha kur ishte arritur marrëveshja në Bruksel në vitin 2013. Jacobson, e cila shërbeu në Kosovë gjatë viteve 2012 – 2015, e cila ishte lënduar në protestën që Lëvizja Vetëvendosje e kishte organizuar kundër ratifikimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi, ku kishin penguar deputetët dhe ambasadorët që të futen në Kuvendin e Kosovës, kishte thënë se Asociacioni duhet të krijohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Ka ende shumë gjëra në agjendë. Kemi dëgjuar shumë diskutime ditëve të fundit për këtë idenë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ajo në vitin 2013, duke shtuar se ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. /Demokracia.com/

Të ngjashme