Lajme
Hipokrizia e Trendafilovas: Dikur thoshte që s`ka paraburgim më shumë se një vit, ish-krerët e UÇK-së gati 5 vjet prapa grilave
Demokracia
14:00 | 24 Maj 2025

Share:

Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, i është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes një deklaratë e saj. Deklaratë në fjalë shpërfaq hipokrizinë e shefes së Dhomave të Specializuar të Kosovës.

Nëpër rrjete sociale po shpërndahet më të madhe një deklaratë e saj, që e kishte dhënë në vitin 2017 në emisionin “Rubikon”.

Shefja e Speciales aty thotë se kjo gjykatë nuk do të mban në paraburgim askënd më shumë se një vit.

Kemi ardhur në përfundimin se paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se një vit”, kishte thënë Trendafilova.

Kur gazetari Adriatik Kelmendi e pyet për të rikonfirmuar konstatim të saj, ajo sërish e pohon se askush që arrestohet nuk mund të jetë në paraburgim më shumë se një vit.

Por, ky konstatim i Trendafilovës nuk është respektuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë që gati pesë vite.

Ndonëse vazhdimisht kanë bërë kërkesa që të mbrohet në liri, gjykata ka refuzuar ato.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe para disa ditëve kur Gjykata Speciale me seli në Hagë ka refuzuar kërkesën për lirim të përkohshëm për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Vendimi ende nuk është bërë publik, megjithatë kjo vërtetohet në kërkesën e fundit për vazhdim të paraburgimit ndaj Kadri Veselit.

Paraburgimi mbetet proporcional. Në shqyrtimin e fundit të paraburgimit, ky Panel konstatoi se paraburgimi i Veselit për dy muaj të tjerë ishte i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të çështjes. Më 13 maj 2025, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit të Veselit për lirim të përkohshëm, Paneli konfirmoi se paraburgimi i tij mbeti i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se refuzimi është bërë edhe për Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Duke përfunduar dëshmitarët, paraburgimi ka nxitur shumë kritika në Kosovë.

Edhe në këtë rast, Gjykata Speciale ka refuzuar garanca e Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Hagës kishte insistuar se Policia nuk ka kapacitet për ta zbatuar arrestin shtëpiak.

Në parashtresën që e ka deponuar në Hagë mbrojtja e Jakup Krasniqit, e të cilën e ka parë Nacionale, thuhet se Policia është zotuar se posedon të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike për ta zbatuar arrestin shtëpiak.

Më 26 tetor 2021, Policia e Kosovës iu përgjigj pyetjeve të bëra nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake për të konfirmuar hapat që Policia e Kosovës do të ishte në gjendje të ndërmerrte për të monitoruar të Akuzuarin gjatë lirimit të përkohshëm. Më 28 mars 2025, Policia e Kosovës konfirmoi se ka kapacitetet e nevojshme, duke përfshirë burimet njerëzore dhe pajisjet teknike, për të zbatuar masat e arrestit shtëpiak për të gjithë kohëzgjatjen e lirimit me kusht.1[REDAKTUAR]. Për më tepër, Policia e Kosovës informoi se [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë parashtresë, raporton gazeta Nacionale.

Megjithatë, ky zotim i Policisë po del se nuk ia ka mbushur mendjen Prokurorisë. Madje, sipas dokumenteve publike, del se Prokuroria e Specializuar në Hagë ka hedhur dilema për efikasitetin e Policisë në zbatimin e kësaj mase.

Prokuroria në parashtrimet e saj, ka kërkuar nga gjyqtarët të refuzojnë kërkesat për lirim me kusht dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të mbeten në paraburgim.

Madje, gjatë këtyre viteve të qëndrimit në paraburgim, ish-krerëve të UCK-së u janë shkelur shumë të drejta.

Gazeta Nacionale vazhdimisht ka shkruar për shkeljen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Shkelja e këtyre të drejtave është rritur në dy vitet e fundit, ku krerët e UÇK-së kanë pasur masa e kushte strikte për vizita, telefonata dhe lidhje me video.

Krejt kjo erdhi pas dyshimeve për tentativa për pengim të drejtësisë, të cilat kulmuan me një aktakuzë tjetër ndaj Hashim Thaçit.

Ish-krerët e UÇK-së kanë hapësirë vetëm për 5 vizita në muaj. Ato monitorohen gjatë gjithë kohës me policë e përkthyes. Vizitat nuk mund të zgjasin më shumë se 40 minuta, dhe nuk realizohen pa një miratim paraprak, që zgjat goxha shumë.

Përveç vizitave, kufizime të ashpra në Qendrën e Paraburgimit ka pasur edhe për video-lidhje.

Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit i lejohen vetëm 5 video-lidhje në muaj, secila nga 40 minuta, me një procedurë miratimi gjithashtu të komplikuar.

E për telefonata, krerët e UÇK-së duhet të tregojnë një muaj përpara me kënd duan të flasin.

Atyre iu lejohet një thirrje në ditët e gjykimit për 15 minuta, dhe dy thirrje në ditët që nuk ka gjykim gjithashtu 15 minuta./Nacionale

Të ngjashme