Lajme
Hipokrizia e radhës e VV-së: Krenohen me marrëveshjen e energjisë për komunat veriore, por për të njëjtën e sulmuan me vezë Isa Mustafën
Demokracia
17:24 | 01 Janar 2024

Share:

Sot ka filluar zbatimi i marrëveshjes për energjinë në komunat veriore. Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e cila ishte konfirmuar në gusht të 2015-es.

Lëvizja Vetëvendosje publikisht e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje, me të cilën sot kanë zgedhur të krenohen. Madje, në vitin 2015, kryeministri Isa Mustafa ishte sulmuar me vezë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për të njëjtën marrëveshje, e cila ka nisur sot të zbatohet.

Në vitin 2018, kryeministri i sotëm, Albin Kurti, kishte kundërshtuar ashpër kompaninë serbe të energjisë elektrike, Elektrosever.

“Elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrsesi”, ishte refreni i vazhdueshëm i kryeministrit Kurti në vitin 2018. Ai në një seancë parlamentare në vitin 2018 kishte treguar se përse nuk duhet të pranohet Elektroseveri, shkruan Demokracia.com.

“Elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrsesi. Nëse KEDS-i nuk i mbledhë faturat në veri atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja edhe furnizimi, nëse nuk e bën KEDS-i duhet qeveria. Besoj që nuk ka mundësi të rregullohet kjo çështje pa i sqaruar kjo qeveri çështjet e shumta për dy elemente, i pari është KEDS-o i dyti Elektroserveri, nuk është e mundshme të rregullohet as situata energjetike në Kosovë”, kishte vijuar Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në vitin 2018.

Nga sot, Elektrosever ka marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë elektrike në veri. Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në llogarinë e tij në Facebook. Befasisht, ai është krekosur me të njëjtën marrëveshje, të cilën shefi i tij e kishte kundërshtuar ashpër për vite me radhë.

“Gjithashtu, Elektrosever ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga sot pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it. Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.

“Më 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, – kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës – ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 vjetësh, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, shkroi ai në Facebook.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian kishte njoftuar se kompania serbe, Elektrosever, kishte nënshkruar kontratë komerciale për energji me Kompaninë Kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije).

Kjo kompani mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor të vitit 2023.

Më 21 qershor të po atij viti, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, as marrëveshja e as udhërrëfyesi nuk gjetën zbatim. Marrëveshja e nënshkruar në kuadër të dialogut synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme