Lajme
Hipokrizia e Kurtit: Privatisht ia premtoi Limajt postin e kryeparlamentarit, publikisht thotë se nuk e lë Guxo
Demokracia
16:02 | 30 Maj 2025

Share:

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri me tani nuk ka shkelur vetëm premtimet e tij elektorale. Pas mbajtjes se zgjedhjeve, deputeti Kurti nuk ka respektuar as marrëveshjen “gojore” me Nismën, e cila parashihte që Fatmir Limaj të jetë kryetar i Kuvendit. Derisa në takime private Limajt ia kishte dhënë një zotim të tillë, publikisht ai kishte treguar disa arsyeje pse nuk mund të bëjë një gjë të tillë.

Pasi që Kurti kishte thënë se kryetari i Kuvendit është post i madh për një parti që ka vetëm tre deputetë, në media kanë dalë edhe deputetë e partisë Guxo, duke thënë se Nismës nuk i takon ky post.

Kryetarit i Nismës, Fatmir Limaj, ka treguar përmbajtjen e takimit që ka pasur me Albin Kurti, në një lokal të Prishtinës.

Në një intervistë në emisionin “Pressing”, ai ka thënë se Kurti ia kishte premtuar postin e kryeparlamentarit.

Kurti më ka ofru një opsion për qeverisje, që nënkupton NISMA të jetë pjesë e Qeverisë. Unë i thash e NISMA nuk është e interesuar të jetë pjesë e Qeverisë, ne mund të bëjmë partneritet Kuvendi, tani për tani nuk jemi të interesuar për qeverisje. Po shkojmë me minimumin”, ka thënë Limaj, duke përmendur detaje tjera të bisedës.

“Partneritet në nivel Kuvendi ishte që të jem kryetar i Kuvendit, si dhe në paketë ligjore. Unë thash po shkojmë me minimumin, ne në Kuvend mund të japim shërbimet tona”, është shprehur ai.

Megjithatë, Limaj ka treguar se nuk i ka mbetur hatri që Kurti nuk e ka mbajtur premtimin.

Në fund patëm një dakordim gojor. Ne të dy. Unë dhe Kurti. Ai mbet me diskutu me partner të vet, unë me partinë time. Ne s’kemi pasë marrëveshje me shkrim. Nuk u ndjeva keq që e propozuan Haxhiun, sepse s’kishim marrëveshje të shkruar”, është shprehur Limaj.

Për këtë takim ka folur edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Në një intervistë për RTK-në, Kurti ka thënë se nuk ia ka premtuar këtë post Limajt.

Unë kam pasur takime me kryetarin Limaj, takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje, thjesht për shkak të insistimit si shkak i një parakushti për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit”, është shprehur Kurti.

Sipas tij, partnerët e tij të koalicionit parazgjedhor kanë më shumë deputetë se Limaj.

Unë jam në koalicion me partinë Guxo e Alternativa. Guxo i ka 6 deputetë e një partie me 3 deputetë t’ia japim kryeparlamentarin kur e ka koalicionin me një parti qe e ka dyfishin për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton arkitekturën paraprake”, ka thënë Kurti.

Pas intervistës së Kurtit në RTK, deputetët e partisë Guxo kanë filluar të deklarohen se kryeparlamentari nuk i takon Nismës.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, deputetja e partisë Guxo, Jeta Statovci, ka vazhduar logjiken e Kurtit.

Ajo ka thënë se Nisma nuk ka fuqi politike për këtë post.

Janë diskutuar alternativa të tjera. Janë diskutuar mundësi, por një subjekt me tre deputetë, për pozitën e dytë në shtet, kërkon një lloj argumentimi parimor e elektoral dhe të fuqisë së mbështetjes së subjektit”, ka thënë Statovci.

Ditë më parë, të njëjtën gjë e ka thënë se kryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla.

Me z.Limaj kemi diskutuar për një qasje parimore dhe një bashkëpunim parimor edhe me z.Limaj, që do të thotë se s’kemi diskutuar asnjëherë për pazare, por për bashkëpunim parimor të bazuar në parime që s’i shkelim as me LDK-në…Një parti me 3 deputetë s’mund të kërkojë kryetar Kuvendi. Kjo është qasje parimore. Kryetari i Kuvendit më mirë sesa në duart e gruas më të votuar të vendit nuk ka”, ka thënë Gërvalla për emisionin “Interaktiv”.

Të ngjashme