Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Por, Kurti ka harruar se kur ishte në opozitë nuk i votonte as ai marrëveshjet ndërkombëtare, shkruan Demokracia.com.
Në vitin 2015, partia e Albin Kurtit nuk e kishte votuar as Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA), e cila është marrëveshja më e rëndësishme mes Kosovës dhe BE-së.
Opozita e atëhershme ishte larguar nga salla e Kuvendit, duke mos marrë pjesë në votimin për ratifikimin e MSA-së.
Kurti, sot si pushtetar tha se këto marrëveshje, të cilat opozita nuk po i voton, kanë të bëjmë me 360 milionë euro grante e kredi të buta.
Kryeministri tha para deputetëve se opozita me këtë po ia bën atyre punën më të vështirë, por theksoi se Qeveria mund ta vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por sipas tij, këtu humbin vetëm qytetarëtl.
“Ka disa muaj që në këtë legjislaturë Kuvendi, Qeveria ka sjell një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, por për shkak të mos votimit nga opozita ato nuk po kalojnë. Të gjitha këto po presin me votat e 2/3 të deputeteve. Këto marrëveshje nuk janë të dëmshme, kemi te bejme me mbi 360 milione euro. Marreveshjet janë në dobi të qytetarëve e për këtë pajtohen edhe opozita, por ata s’po i votojnë”, tha Kurti.
“E vertetë që na e bëni punën më të vështirë, por Qeveria mund të vazhdoj mandatin deri në fund edhe pa marrëveshje ndërkombëtare por me këtë mos votim humbin qytetarët se projektet nuk bëhen sepse humbin grantet dhe kreditë e buta, e pastaj duhet të shpenzojmë paratë e taksapaguesve”, tha Kurti.
“Detyra e opozitës është të tregoj se si mund të bëhet më mirë. Nuk mund të thuash po e bëjë opozitën e po brengosem për qytetaret kur bllokohet ligji për çmimet tavan, nuk mund të thuash po brengosem për punëtoret kur bllokon ligjin për pagën minimale, s’mund të thuash po brengosem për ekonominë e vendit kur bllokon marrëveshjet ndërkombëtare për projekte zhvillimore. Nuk bëhet kjo punë kështu, besomni. Këtë po ua them si dikush që ka bërë opozite parlamentare për një dekadë”.
“Votojeni, le të mos jete kjo temë qe pozita e opozita i thyejnë shpatat. Marrëveshjet ndërkombetare votoni për qytetarin”, tha Kurti para deputetëve. /Demokracia.com/