Lajme
Hipokrizia e Kurtit dhe tallja me kryetarët e veriut | Paradite i premtoi dje kreut të Leposaviqit se nuk tërhiqet, pasdite përmendi zgjedhjet e reja
Demokracia
15:47 | 12 Qershor 2023

Share:

Albin Kurti të dielën në mëngjes i premtoi kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit, i cili ka dy javë që është “ngujuar” në objektin e komunës, që nuk do të tërhiqet nga veriu i Kosovës.

“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë , prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, deklaroi Kurti.

Por, Kurti duket se vetëm e mashtroi Hetemin, shkruan Demokracia.com.

Pak orë më vonë, ai menjëherë përmendi zgjedhjet e reja në veri, të cilat domosdoshmërisht çojnë në largimin e Hetemit.

Kurti tha se deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore, kryetarët aktualë duhet të kryejnë detyrat e tyre dhe ftoi serbët që të marrin pjesë në to.

“Kryetarët e zgjedhur kanë marrë pak vota, ndërsa të tjerët nuk kanë marrë asnjë votë. Serbët duhet të shkojnë në zgjedhje, jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa grupe kriminale”, tha Kurti.

Ai po ashtu shtoi se Kosova qëndron pas vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se situata në veri mund të qetësohet vetëm duke ndalur dhunën ndaj policisë, KFOR-it, gazetarëve dhe kryetarëve të komunave.

“Kosova është prapa SHBA-së dhe BE-së në çdo kuptim të fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është një aleat i pakompromis. Rruga përpara për të depërshkallëzuar situatën në veri do të thotë ndalim i menjëhershëm i dhunës nga grupet kriminale kundër policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve (veriorë). Në përputhje me situatën e sigurisë, largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policisë mund të zvogëlohej proporcionalisht”, tha ai./Demokracia.com/

Të ngjashme