Lajme
Hill: E mirëpres lirimin e policëve, të miratohet urgjentisht plani 3-pikësh i BE-së
Demokracia
21:43 | 26 Qershor 2023

Share:

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, e ka mirëpritur lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia.

Tash sipas tij, duhet përpjekje shtesë nga Kosova për de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në veri.

“Ne e mirëpresim lajmin për vendimin e gjykatës për lirimin e tre policëve të Kosovës dhe presim që të bëhen përpjekje shtesë që do të çojnë në de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës aktuale”, tha Hill për mediumin serb Kosova Online.

Po ashtu Hill ka kërkuar miratimin urgjent të planit trepikësh të Bashkimit Evropian dhe kthim në tryezën e bisedimeve nga dyja palët.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Strasburg, ka thënë se e vetmja zgjidhje për situatën në veri të Kosovës mbeten zgjedhjet e reja atje, përndryshe parashihen “masa ndëshkuese”.

“Ne kemi rënë dakord që zgjedhjet të mbahen. Ne kemi rënë dakord që nuk mund të kemi në zyra kryetarë të komunave që mbrohen përgjithmonë nga forcat [paqeruajtëse] të NATO-s [në Kosovë]. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Zgjidhja do të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja”, ka thënë Borrell.

Kryediplomati evropian ka bërë me dije se 27 shtetet anëtare të BE-së, në takimin ku kanë shqyrtuar mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, kanë konsideruar marrjen e “masave politike dhe ekonomike” nëse Kosova dhe Serbia nuk pajtohen për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Shtetet anëtare kanë marrë në konsideratë marrjen e masave politike për të kufizuar kontaktet politike dhe për të vënë masat e përcaktuara financiare […] Ato duhet të jenë masa proporcionale dhe duhet të jenë të kthyeshme”, ka thënë Borrell, përcjell AP.

“Këto masa sigurisht që do të prekin aspektin politik dhe ekonomik të marrëdhënieve tona. Ka organe që punojnë për këtë. Ne i kemi mjetet për të ekzekutuar. Niveli i duhur i grupit punues do të fillojë nesër të flasë për atë dhe çfarë mund të ndodhë nëse nuk arrijmë marrëveshje për zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.
Procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ka qenë njëra ndër temat kryesore për të cilat kanë diskutuar ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në Strasburg të Francës.

Krerët e diplomacive të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, në mënyrë që t’i hapet rruga implementimit të pikave të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars).

Të ngjashme