Veprimet e përçudshme politike të Albin Kurtit i cili ia mësyu të martën betimit për deputet dhe ruajtjes së njëkohshme të postit në krye të ekzekutivit – që rezultoi me dështimin e seancës për konstituimin e Kuvendit – tërhoqën vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.
Përpjekja për të ushtruar njëherësh dy funksione, në kundërshtim të qartë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për Qeverinë, shtyu partitë opozitare të refuzojnë mbështetjen ndaj raportit të Komisionit Verifikues.
Në një artikull kushtuar këtyre zhvillimeve, agjencia e njohur ndërkombëtare “Bloomberg” raportoi për dështimin në konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se kjo situatë mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe të vonojë formimin e qeverisë së re.
“Mbledhja inauguruese e deputetëve u kthye në kaos dhe më pas u pezullua pasi përfaqësuesit e opozitës thanë se Kurti dhe ministrat e tij nuk kishin dhënë dorëheqjen në kohë, siç parashikon kushtetuta.” – shkruan ndër të tjera mediumi.
Më tej, “Bloomberg” shkruan se qasja udhëheqëse e Albin Kurtit e ka izoluar politikisht Kosovën, duke e lënë pa mbështetje të konsiderueshme, jo vetëm në skenën e brendshme politike, por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Stili i tij i udhëheqjes, megjithatë, e ka lënë me pak aleatë si në vend ashtu edhe në Bashkimin Evropian dhe ShBA”, shkruan Nacionale.
Sipas prestigjiozes amerikane, aleatët e Kosovës “e kanë akuzuar” Kurtin për “marrje vendimesh të njëanshme dhe për nxitje tensionesh me Serbinë fqinje, e cila refuzon ta njohë sovranitetin e Kosovës.”
Associated Press, ndërkaq, e përshkroi anulimin e seancës si një ngërç që mund ta fusë vendin në një “sagë të gjatë ligjore” përpara se të mund të formohet një kabinet i ri.
“Pas një vonese të shkurtër në procedura, opozita votoi kundër një raporti që shqyrtonte nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kabineti i tij vepruan në përputhje me kushtetutën kur nuk dhanë dorëheqje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje!, partia e majtë e Kurtit, fitoi 48 nga 120 ulëset – më pak se shumica e nevojshme për të formuar vetë qeverinë. Në vitin 2021, kjo parti kishte fituar 58 ulëse.”
AP vuri theksin gjithashtu te domosdoshmia e formimit të institucioneve të reja mes një sërë sfidash që e presin Kosovën.
“Një kabinet i ri do të ishte i domosdoshëm jo vetëm për të drejtuar ekonominë e vendit dhe shërbimet e tjera, por edhe për të vazhduar bisedimet për normalizim që po zgjasin tash 14 vjet me Serbinë, të cilat nuk kanë shënuar përparim dhe marrëdhëniet bilaterale mbeten të tensionuara.”