Telekomi i Kosovës nuk e ka ndaluar procedurën tenderuese për shpërblimin me kontratë të kompanisë “PBC” Sh.P.K., të përfshirë në një skandal milionësh me Administratën Tatimore të Kosovës.
“PBC” Sh.P.K., një kompani private e përfshirë në një skandal me tenderin dhjetë milionë eurosh të ATK-së, fitoi një kontratë të prokurimit publik nga Telekomi i Kosovës të martën.
Telekomi, ia besoi ndërtimin e aplikacionit mobil të operatorit shtetëror të telekomunikacionit kompanisë private në pronësi të Gazmend Selmanit. Tenderi vlen 10,620.00 euro.
Firma private e cila merret me aktivitetet të telekomunikimit kabllor, është përzgjedhur nga Telekomi i Kosovës për krijimin dhe publikimin e aplikacionit të operatorit në ‘dyqanet’ e sistemeve android dhe iOS, App Store dhe Play Store.
Kontrata mes palëve është nënshkruar të enjten, ka njoftuar Zyra e Prokurimit të Administratës Tatimore në një njoftim në platformën e tenderëve, e-prokurimi.
Për këtë shërbim, kompania private me seli në kryeqytet do të përfitojë mbi dhjetë mijë euro, bazuar në një procedurë të prokurimit publik të udhëhequr nga Telekomi i Kosovës.
“Operatori Ekonomik [PBV Sh.P.K, v.j] është i obliguar të publikoj aplikacionin IOS dhe Android në Google Play Store dhe IOS APP Store”, thuhet në dosjen e tenderit, raporton Paparaci.
Siç raportoi Paparaci në fund të vitit të kaluar, “PBC” Sh.P.K. është e përfshirë në një skandal të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) me dështimin e implementimit të një projekti rreth dhjetë milionë euro të vlefshëm për modernizimin e Teknologjisë Informative të administratës.
Kompania është pjesë e një konsorciumi, të cilin e kryeson një firmë private armene, i cili ka dështuar të implementojë kontratën 9.79 milionë euro të lidhur me ATK-në për “Modernizimin e Sistemit të IT-së në ATK”.
Pothuajse asnjë shërbim nuk është dorëzuar në Administratën Tatimore të Kosovës prej 15 janarit, 2020, kur marrëveshja mes ATK-së dhe konsorciumit privat, pjesë e së cilës është edhe “PBC” Sh.P.K., hyri në fuqi.
Skandali nuk kaloi pa pasoja për “PBC”-në e biznesmenit Selmani dhe pjesëmarrësit e tjerë në konsorciumin privat.
Administrata Tatimore e Kosovës aplikoi ndëshkime të ashpra ndaj kompanive për dështimin e realizimit të kontratës, raportoi Paparaci më 3 janar të këtij viti.
Megjithatë, ATK-ja kishte mohuar ndëshkimin e aplikuar ndaj konsorciumit që ka dështuar të zbatojë fazën e parë të kontratës afër dhjetë milionë euro të vlefshme, por Paparaci ka publikuar dëshmi të sanksioneve financiare të administratës kundër kompanive.