Lajme
Hetuesit ndërkombëtarë nuk gjetën prova as fakte ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi
Demokracia
17:16 | 14 Prill 2023

Share:

Problemi kryesor që ka të bëj me Gjykatën Speciale është mandati i saj, sepse pretendimet e Raportit të Dick Martyt mbeten të pabazuara dhe pjesa më e madhe e raportit është përgatitur bazuar në dokumente të institucioneve të Serbisë, thuhet në analizën e Institutit Robert Lansing, që merret me çështje të sigurisë globale.

Gjykata Speciale e Kosovës ka lindur si zgjidhje politike, ndoshta do të ketë nevojë që zgjidhja për këtë gjykatë të jetë sërish politike, për zgjidhje politike, thuhet në analizën e RLI, e botuar disa ditë pas fillimit të gjyqit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe krerëve tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, transmeton Demokracia.com.

Kjo gjykatë është themeluar në bazë të Rezolutës 1782 të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, sipas një raporti të ish-prokurorit zviceran Dick Marty.

Raporti i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ngre akuza për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që pretendohej se janë kryer nga anëtarë dhe udhëheqës të UÇK-së nga “Grupi i Drenicës” në krye me Hashim Thaçin, për të cilin hetuesit ndërkombëtarë nuk arritën të gjenin prova dhe fakte, shkruan RLI.

“Pra, pretendimet e raportit të Martit mbeten të pabazuara dhe të paprovuara. Siç do të rezultonte më vonë, pjesa më e madhe e raportit të Martit ishte dokumentacion i përgatitur nga institucionet serbe”, thuhet mes tjerash në këtë analizë.

Ish-ambasadori serb në Zvicër, Milan Protiq, do të tregonte më vonë se si u takuan me Martyn për t’i dorëzuar dokumentet serbe.

I rrëfyer në librin e tij “Në vendlindjen e William Tell: Histori nga Zvicra”, Protiq përshkroi gjithashtu detaje të takimit.

“Ne po prisnim Dick Martyn në një kthinë në Banhof në Cyrih. Në vend të figurës mbresëlënëse të Sean Connery u shfaq pamja jobindëse e Dick Marty. Më në fund, shfaqja mund të fillojë”, ka shkruar Protiq.

Më vonë, Protiq, së bashku me prokurorin serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, e kishin bindur senatorin zviceran që t’i pranonte dosjet e tyre.

Pas dëshmisë së dëshmitarit të parë, një gruaje të panjohur, që u mor në pyetje për tri ditë rresht, por gjithçka ishte e mbyllur për publikun, procesi ndaj katërshes së UÇK-së do të vazhdoj të hënën, më 17 prill. /Demokracia.com/

Të ngjashme