Lajme
“Hetime të kujdesshme” – Prokuroria kërkon kohë deri në ngritjen e aktakuzës për rastin Brezovica
Demokracia
09:24 | 27 Qershor 2022

Share:

4 aksione policore, 26 të arrestuar, mbi 6 milionë euro të bllokuara, është bilanci i një aksioni i cili ka marrë epitetin e një rasti të madh kundër krimit të organizuar në Kosovë.

“Rasti Brezovica” i koduar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, pa dyshim ka fituar vëmendjen e secilit qytetar të Republikës së Kosovës.

Përfshirja e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mjedisit, përfaqësuesve serbë të komunave, por edhe figurave tjera publike që posedojnë vila në Brezovicë, veç sa e ka shtuar interesimin e njerëzve për këtë rast.

Tash kur kanë kaluar saktësisht 6 muaj, nga fillimi i këtij aksioni, gazeta Nacionale, ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, për të mësuar, se në cilën fazë ndodhet lënda, dhe për detaje të tjera.

Kryeprokurori i Ferizajt, i tha Nacionales se rasti është ende në fazën e hetimeve, e se disa nga të arrestuarit gjenden ende në paraburgim

“Lënda është në procedurë hetimore, jemi duke grumbullu provat në lidhje me rastin. Lënda është shumë voluminoze, na duhet kohë, për të bërë hetimet e duhura e për të siguruar provat”, ka thënë Jashari fillimisht për gazetën Nacionale.

Deri në ngritjen e aktakuzës, Jashari ka thënë se duhet ende kohë, pasi hetimet po bëhen me shumë kujdes.

“Disa nga të arrestuarit janë në paraburgim, prej tyre persona zyrtarë e persona privat. Ndërsa ka edhe të liruar nga masa e paraburgimi. Për disa nga të arrestuarit është pa e arsyeshme të zbutet kjo masë dhe të merren masa të tjera më të buta. Pra rasti është ende duke hetuar dhe atë me shumë kujdes”, ka thënë kryeprokurori Jashari.

Arrestime, arratisje, ndalime e lirime – si rrodhën ngjarjet

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, në aksionin e parë të urdhëruar nga prokuroria e Ferizajt ishin arrestuar dhjetë persona, në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, drejtori i Urbanizmit, zyrtarë të tjerë të Komunës, e pronarë të firmave. Të gjithë këta të dyshuar për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në po të njëjtën ditë, prokurori i rastit Rasim Maloku kishte thënë se ish-kryetari i Shtërpcës Nikolliq dyshohet se ka përfituar mbi 1 milionë euro jashtëligjshëm.

Aksioni nuk u ndal këtu. Vetëm 2 javë më vonë, më 6 janar të këtij viti, aksioni u shpërnda edhe në qytete të tjera të Kosovës, por me dyshime të njëjta; “ndërtimet e paligjshme në Brezovicë”

Bilanci i aksionit të 6 janarit ishte 7 të arrestuar, ndërsa shuma e të parave të bllokuara arriti shifrën prej 6 milionë eurove.

Në mesin e të arrestuarve ishte kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi dhe ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, të dy të dyshuar për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit.

“Gjatë hetimeve në xhirollogaritë bankare të dyshuarve kemi identifikuar vlerën monetare prej 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86,146 dollarë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova: 1 veturë, armë, fishekë, karikatorë, shtëpizë kompjuteri, telefon mobil, uniformë me mbishkrimin Policia e ish-sistemit jugosllav ose serb, një antiplumb dhe dokumente të ndryshme”, ishte deklarata e asaj dite e prokurorit të rastit, Rasim Maloku.

“Brezovica 3” – Arratisja

Në mars të këtij viti, prokuroria e Ferizajt urdhëroi për një tjetër aksion, me të njëjtin objektiv. Shpartallimi i grupit, për të cilin prokuroria pretendon se e kanë “shkatërruar” me ndërtime parkun kombëtar të Sharrit.

Në “goditjen” e tretë të prokurorisë, nën pranga ranë 8 persona. Në mesin e tyre, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e biznesmen të kompanive ndërtimore.

E një pronar i kompanisë ndërtimore “Dono” SH.P.K dhe hotelit “Brezovica SPA” me emrin Abedin Salihu, kur policia i shkoi tek shtëpia e tij në komunën e Lipjanit, e që kreu bastisje aty, ai nuk u gjet aty.

Edhe 3 biznesmenë të tjerë patën arritur t’i shmangen prangave të policisë, ditën e aksionit. Bëhet fjalë për biznismenët Fatmir Grainca, Hajrush Ajvazi dhe Bashkim Hamiti, të tre biznesmenë nga Ferizaj. Fatmir Grainca që është aksionar i klubit futbollistik Ferizaj, pas disa javëve në arrati, u raportua se iu dorëzua drejtësisë.

Rasti Brezovica mbetet ndër rastet më të mëdha që është në duart e drejtësisë e në të cilin pritet të zbulohet shumëçka sa i përket mënyrës se si u ndërtua pa kriter në Brezovicë, kështu duke ia zënë frymën, një ndër zonave më të rëndësishme turistike që ka Kosova.

 

Të ngjashme