Lajme
Hetemi i “ngujuar” në komunë| Avokatët: Në asnjë shtet kryetari s’fle në objekt
Demokracia
11:19 | 08 Korrik 2023

Share:

Kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi ka mbi një muaj që po qëndron i “ngujuar” në objektin e komunës. Veprimi i tij është komentuar nga ekspertë e njohës të ligjeve, por vet kreu i Qeverisë e ka përkrahur Hetemin në vendimin e tij për të qëndruar në komunë.

Megjithatë avokatët kanë ngritur pikëpyetjet në lidhje me ligjshmërinë e këtij rasti. sipas tyre nuk ka asnjë shembull askund në ndonjë shtet që një kryetar komune e shndërron objektin në një vend ku bënë edhe fjetjen.

Avokati Arbër Jashari tha se Hetemi ka të drejtë që në raste specifike të punojë jashtë orarit tetë orë në javë, por që kjo nuk po ndodh.

Ai madje thotë se nuk dihet nëse ai është në protestë apo realisht po punon, duke shtuar se e ka privuar veten nga shumë të drejta.

“Ai ka të drejtë vetëm në raste specifike të punojë jashtë orarit dhe atë më së shumti tetë orë në javë si punë shtesë, krahas atyre dyzetë orëve që është e përcaktuar me ligj. Dhe kjo nuk është duke ndodhur”.

“Thjesht ai është në një situatë atje ku ne nuk e dimë a është punë a është protestë, kur fillon puna, kur fillon protesta, në sa fillon dita e punës së tij, në sa mbaron dita e punës së tij. Gjithashtu mund të themi se ai e ka privuar veten nga një sërë të drejtash që i’a njeh legjislacioni aktual dhe që ia njeh ligji i zbatueshëm”.

Mendim të njëjtë sa i përket privimit të së drejtave të veta për Hetemin ka edhe avokati tjetër, Xhevdet Smakiqi.

Smakiqi thotë se asnjë ligj nuk ia ndalon e as lejon atij që të flej në objektin e komunës.

Ai ngriti edhe një çështje tjetër, atë të higjienës dhe të takimit me familjarë, duke theksuar se Hetemi mund të konsiderohet i vetburgosur.

“Unë në aspektin profesional e kam sqaruar se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore qoftë në Ligjin për qeverisje lokale qoftë në Ligjin e punës apo edhe me kompetenca të kryetarit të komunës si kryetar se kryetarit i lejohet apo i njëjti të detyrohet të akomodohet për të fjetur në objektin e komunës”.

“Edhe pse kryetari i komunës nuk është i punësuar siç e parashikon Ligji i punës, nuk është domethënë një punëmarrës, ai është me mandat, por funksionet e tij ai duhet t’ia përshtat administratës komunale, gjegjësisht zyrtarëve të cilët gjithashtu janë punëmarrës dhe ata kanë një orar të rregullt të punës nga ora 8:00 në orën 16:00 dhe unë e kam sqaruar se bazuar mbi këtë obligim që e kanë zyrtarët e administratës duhet edhe kryetari i komunës të ia përshtat dhe kjo është absurde. Nuk keni asnjë shembull askund në ndonjë shtet qoftë fqinj qoftë evropian që një kryetar komune e shndërron objektin në një vend ku bënë edhe fjetjen”.

“Unë kam shtruar edhe tema të tjera të cilat kanë të bëjnë edhe me higjienën ndoshta, a është interesuar dikush për higjienën e Lulzim Hetemit që një muaj ditë, ai është një qytetar i Kosovës, një shtetas i Kosovës dhe gjithashtu ka të bëjë edhe me kontaktin me familjen sepse ai është vetburgosur. Unë madje kam thënë se me ligjet tona nuk keni të drejtë t’ua mohoni të drejtat tuaja as vetes. Domethënë është një akt i ndalueshëm, të i’a cenoni të drejtat vetes, integritetin tuaj, dinjitetin tuaj. Mendoj se duhet shtruar pyetja jo vetëm nga ne si avokatë por edhe nga ekspertët shëndetësorë dhe inspektorati i punës për të ekzaminuar se çfarë po ndodhë me Lulzim Hetemin”, tha Smakiqi./EO

Të ngjashme