OpEd
Heshtja e presidentes
Demokracia
21:16 | 27 Prill 2023

Share:

Shkruan: Daut Dauti

Viti 2023 shënon 100 vjetorin e vdekjes së Aubrey Herbert-it, ushtarakut, diplomatit dhe politikanit britanik, i cili në histori hyri si miku më i madh i shqiptarëve dhe kampion i pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja që një grup i intelektualëve dhe aktivistëve në Londër, ia dërguam presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, një propozim për dekorimin e këtij personaliteti tejet të rëndësishëm për shqiptarët.

Në pjesën e propozimit, siç e kërkon formaliteti, e paraqitëm arsyetimin pse duhet të dekorohet Aubrey Herbert, duke i dhënë arsyet e kontributit të jashtzakonshëm si dhe duke bërë me dije se në këtë mënyrë kontribuohet edhe më tej në kultivimin e marrëdhënieve miqësore mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Në një pjesë të veçantë e dërguam edhe një biografi të shkurtër të këtij personaliteti duke potencuar se te shqiptarët ai zë vend në mesin e heronjëve kryesorë. Pra, shënuam shkurtimisht se Aubrey Herbert, duke dalur haptas si mik i shqiptarëve, kishte dhënë kontribut të madh në popullarizimin e kauzës shqiptare në gazetat dhe opinionin publik të atëhershëm britanik duke e theksuar Kosovën si territor shqiptar; themelimin e ‘Albanian Committee’ përmes të cilit e solli delegacionin shqiptar në Londër më 1913 për të ndikuar në procesin e Konferencës së Londrës; lidhjes së tij të ngushtë shoqërore me Isa Boletinin; angazhimin e tij në rimëkëmbjen e shtetit shqiptar pas aktivitetit të pazëvendësueshëm që kishte treguar në Konferencën e Paqës së Parisit (1918), ku sovraniteti i Shqipërisë qe rrezikuar; aktivitetin e tij humanitar në Shqipëri e Kosovë, sikur edhe angazhimin që e bënte përmes qeverisë britanike duke bërë presion te qeveria e Beogradit që të mos keqtrajtoheshin shqiptarët që mbetën ne Jugosllavi …

Paraqitëm edhe detaje tjera dhe kërkesën ia dërguam presidentes Osmani me 28 dhjetor 2022. Pritëm disa javë që ta merrnin atë përgjigjen e zakonshme qe e dërgojnë organet zyrtare: “Ju falënderojmë për propozimin, të cilin do ta shqyrtojmë dhe do t’ju njoftojmë me kohë’.

Kaluan edhe disa javë dhe nuk erdhi as kjo përgjigje e domosdoshme. Prandaj, unë e kontaktova njërin nga këshilltarët e presidentes në mënyrë që ta merrja vesh pse nuk kishte përgjigje. Edhe këshilltari bëri disa ‘eskuivazhe’ për t’i ikur përgjigjes. Pastaj, kah mesi i këtij muaji (prill), i shkrova sërish presidentes. Kot. Nuk përgjigjet presidentja. Ajo ka vendosur të qëndrojë në heshtje.

Por, pse hesht presidentja? Kërkesat e këtilla nuk kalohen me heshtje dhe ajo duhet ta dijë këtë gjë. Është vështirë të dihet saktësisht arsyeja e heshtjes pasi që nuk ka përgjigje. Ndoshta presidentes nuk i duket i denjë ky grupi jonë për të paraqitur këso propozime. Megjithatë, ajo tashti nuk mund të thotë se nuk ka njohuri se kush është Aubrey Herbert. Por, heshtja në këtë rast nuk e hapë vetëm mundësinë që supozimet të vërtetohe si të sakta, por e ka edhe domethënien e refuzimit në mënyrë të fshehur.
Pa marrë parasyshë se si qëndron puna, Aubrey Herbert nuk mund të refuzohet. Prandaj, presidentja Vjosa Osmani duhet ta dekorojë patjetër këtë mik tonin, më të madhin që kemi pasur.

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024