Më shumë paraqitej i kënaqur të kishte qenë në takim, se sa i pakënaqur nga ato ç’kishte dëgjuar e parë në takim.
Lutfi Haziri, i deleguari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të takuar ndërmjetësin sllovak, Miroslav Lajçak, i cili kishte sjellë draft-Statutin e Asociacionin të Komunave të banuara me shumicë serbe, nuk zbardhi asgjë nga takimi; përveç se tha që “po mbahemi në terr informativ” dhe disa frazave si “dialogu s’ka opsion”, “nuk ka shumë kohë”, “nuk duhet të humbim këtë moment”.
Leximi? S’ka lexim përveç heshtjes së përkthyeshme në miratim.
Ditë para këtij prononcimi të Hazirit, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, në një paraqitje televizive në KTV, u shpreh se i ka parë 15 modelet evropiane të autonomive mbi të cilat po ndërtohet modusi i Asociaconit të Komunave të banuara me shumicë serbe – dhe këtu u mëshoi toneve alarmante se “janë të trishtueshme” për nga niveli autonomisë në të cilën do të përkthehen.
Por, Haziri s’dha koment për “nivel të trishtueshëm autonomie” nga takimi që pati me Lajçakun. Këtu e pyetëm midis gazetarësh rreth deklarimit të kryetarit të tij për këtë “trishtësi” dhe “a qëndroni ende në ato përshtypje?”, Haziri buzëqeshshëm tha që “natyrisht që qëndrojmë, përderisa nuk ka ndërrohen bindja”; natyrisht edhe këtë e tha jo fort bindshëm.
E pyetëm po ashtu për një “faqe të vetme” që fillimisht qarkulloi në rrjete sociale e që mëpastaj u publikua si tekst i plotë nga ish-Drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, e që sipas burimeve kemi arritur të verifikojmë se është autentik, ndonëse jo ende final por mbase në fazë hershme, Haziri aty-për-aty e mohoi se “nuk kemi të bëjmë me dokument të tillë”.
Çuditshëm, ajo faqe (para publikimit të plotë) nuk u demantua as nga Qeveria e Kosovës – siç rëndom demantojnë kurdo dha çkado që të munden – dhe as nga BE.
Në atë tekst qysh në preambulë për referencë është edhe Rezoluta 12/44, dhe për këtë e pyetëm ish-Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, i cili ishte i prerë se kurrë s’ka qenë për referencë ajo e “as në (Asociacion) të 2015’ës”.
“Referenca janë ligjet e Kosovës dhe Kartës Evropiane për Veteqeverisje Lokale. Pika 2 e 2015 dhe pika e fundit e dokumentit i referohet Gjykatës Kushtetuese”, na tha zoti Mustafa.
Madje, Isa Mustafa, në një prononcim të mëvonshëm, as që e besonte se Lutfi Haziri s’e kishte parë dhe lexuar Statutin në takim me Lajçakun.
Por, Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndryshe nga Haziri dhe Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tregoi që e ka parë dhe lexuar draftin; dhe foli gjerë e gjatë për të menjëherë pas takimit dhe më vonë në studio televizive.
Nacionale ka kontaktuar me LDK-në por ata nuk kanë kthyer përgjigje nëse e kanë parë draftin deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Çka?
Qeveria e Kosovës, në emër të konfidencialitetit të bisedimeve nuk shpaloi asgjë rreth draftit teksa nxituan ta shpallin thjesht “me shikim sipërfaqësor” në përputhje me Kushtetutën e Kosovës; ndonëse thanë se “me germën po, me frymën jo”.
Në këtë Statut të publikuar nga Ramadani, që Nacionale përmes burimeve të saj ka arritur ta verifikojë si drafti autentik i sjellur nga pesë emisarët më 21 tetor, për referencë është futur edhe Rezoluta 12/44; gjë që asnjëherë nuk ka qenë rasti.
Për këtë referencë më së ashpri ka reaguar ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili në një seri kolumnesh të botuara në Gazetën Express, ka shkruar se “futja e Rezolutës 1244, së bashku me ligjet, si bazë për interpretim të kushtetutshmërisë së Autonomisë serbe, dhe garantimi i njëkohshëm i integritetit territorial e sovranitetit territorial të Kosovës, nuk është veçse një cinizëm brutal i barasvlershëm me bashkimin e barotit me zjarrin. Rezoluta 1244 garanton integritetin e sovranitetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës (sic!)”.
Haradinaj, pas takimin me ndërmjetësin sllovak Miroslav Lajçak – për këtë të fundit Statuti “nuk i shkel vijat e kuqe të palëve” – tha në Rubikon se “dokumenti është bukur i pasur me përmbajtje” dhe se “nuk di më se çka tjetër mund të përfshihet aty” kësisoji duke e thyer konfidencialitetin e Lajçakut, gjë që Haziri dhe Krasniqi s’e bënë.
Por, pse erdhi deri të një dokument me përmbajtje kaq të thellë e të gjerë vetëqeverisjeje për serbët, dhe saktësisht nga kundërshtari më i madh i më shumë se një dekade i këtij “institucioni”?
Haradinaj, e pati një shpjegim. Thotë se Kurti “arriti t’i bindë bashkësinë ndërkombëtare që të drejtat e serbëve në Kosovë nuk respektohen”.
“Besoj që menaxhimi jo i mirë i Dialogut nga Kryeministri Albin Kurti; qasja jo e duhur në njëfarë mënyre mbërrijti me i bind palët tjera që të drejtat e serbëve të Kosovës nuk respektohen nga Kosova. Në njëfarë mënyre i bindi aleatët tanë që garancat duhet me qenë të qarta, të sakta, të shkruara”, tha Haradinaj.
Por, edhe më shqetësuese, ai tha se “Asociacioni ashtu si e kam lexuar, është kujdesur që me i garantu këto për afatgjatë, ato mbesin gati përjetësisht”.
“Mendoj se qasja jo e drejtë e Kurtit edhe ato porositë që të drejtat e serbëve të Kosovës nuk përfillen ose nuk respektohen mjaftueshëm nga Kosova, dhe që kërkohet garancë për të ato të drejta, ose garancë të re, ka ndiku që ato mu identifiku dhe të gjitha me qenë të listume edhe me pas garanca ndërkombëtare që ato në të ardhmen me qenë të drejta që i parasheh Asociacioni”, shtoi Haradinaj.
“Është një lloj dokumenti mjaft konkret, një lloj akti ligjor në vete, me historikun e vet, nenet veç e veç, shpjegimin e organeve, përgjegjësive, institucioneve…”.