Lajme
Herën e katërt shpallet fajtor i akuzuari për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë, dënohet me tri vite burgim
Demokracia
16:13 | 13 Maj 2022

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor të akuzuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Leunis Frangun, i cili tri herë ishte liruar nga akuzat për terrorizëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por i cili rast vazhdimisht është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të premten nga gjykatësi i rastit, Musa Konxheli, sipas të cilit aktgjykim i akuzuari Frangu u dënuan me tre vite burgim, i cili dënim do të ekzekutohet pas marrjes së plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Frangu gjithashtu obligohet të paguaj shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtrimit të ankesës kundër këtij aktgjykimi në afatin ligjor prej 15 ditësh nga momenti kur pranohet në formë të shkruar dhe me arsyetim të zgjeruar.

Paraprakisht në seancën e së premtes  është bërë administrimi i provave materiale, pas propozimeve të prokurorit special Atdhe Dema lidhur për  administrimin e provave materiale dhe elaborimit të tyre, si dhe pas deklarimit të mbrojtjes akuzuarit Frangu, avokati Shkoza në lidhje me këto propozime prej të cilave i njëjti  është pajtuar që të konsiderohet  e lexuar  deklarata e dëshmitarit anonim A2.

Për këtë, trupi gjykues, gjykatësi Musa Konxheli  me vendim i ka aprovuar provat materiale të propozuara nga prokurori Dema, me të cilin u konsiderua si  provë materiale e pranueshme dokument i siguruar nga  FBI-SHBA me kërkesë të prokurorisë dhe po ashtu  u konsiderua e lexuar dëshmia  e dëshmitarit A2.

Ndërsa, në lidhje me deklaratën e Blerim Syla të dhënë në polici 6 korrik 2016, gjykatësi Konxheli deklaroi se  gjykata e merre si provë të pranueshme por që konsideron se me këtë provë si të vetëm  nuk do ta nxjerr verdiktin final.

Pas kësaj, avokati Shkoza deklaroi se në konsultim me të mbrojturin e tij, Leunis Frangu, ky i fundit ka vendosur të refuzoi paraqitjen e mbrojtjes, ndërsa më pas seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët.

Në fjalën përfundimtare prokurori Atdhe Dema ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre nga akuza.

Prokurori Atdhe Dema në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se ngelet në tërësi pranë fjalëve përfundimtare  nga shqyrtimet paraprake, duke shtuar se pas nxjerrjes së të gjitha provave në shqyrtim gjyqësor përfshirë edhe provën e prezantuar “Dokumentin apo certifikatën e regjistrimit të të akuzuarit Frangu në organizatën  terroriste ISIS, e cila mban datën 5 janar 2016”, si dhe duke bërë lidhshmëri me të gjitha provat të tjera që paraprakisht janë propozuar ka  konstatuar që aktakuza me shkrim është vërtetuar në tërësi.

Sipas tij,  nga të gjitha provat është vërtetuar në mënyrë të plotë që i akuzuari ka kryer veprën penale si në aktakuzë, si  dhe është vërtetuar në tërësi vendi, koha dhe mënyra e kryerjes së veprës penale, po ashtu është vërtetuar në tërësi  edhe elementi subjektiv i veprës penale.

Në fund, prokurori Dema i propozoj gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor për veprën penale, të ndëshkoj sipas ligjit, duke marrë parasysh që ai është fajtor për kryerjen e veprës penale,  gjatë matjes së dënimit konsideroj  që gjykata do të marrë parasysh se i akuzuari kryer veprën penale me dashje, ka treguar vendosmëri të theksuar në kryerjen e kësaj vepre penale, të cilën e ka kryer në mënyrë të vrazhdë dhe nga  mundësitë që i janë dhënë gjatë  shqyrtimeve gjyqësore nuk gjej asnjë nga rrethanat  lehtësuese që sot ti propozoj gjykatës.

Ndërsa, avokati Shkoza në fjalën përfundimtare  deklaroi se mbetët në tërësi pranë qëndrimeve dhe thënieve që i kanë deklaruar vazhdimisht në fjalët përfundimtare në gjykimet e mëparshme dhe në këtë gjykim të përsëritshëm.

Duke shtuar se qëndron prapa asaj që ka deklaruar lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Blerim Syla që mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që atë dëshmitar ta ballafaqoj me të pavërtetat e thëna dhe kontradiktore të cilat kanë qenë më me rëndësi  por po ashtu tha që kjo gjykatë duhet ta ketë parasysh kontradiktën themelore të  dëshmitarit anonim “A2”, i cili tha se kur ai është ballafaquar në fazën hetimore nga organet kompetente  me fotografi për të identifikuar të dyshuarin, ai kishte identifikuar në mënyrë të çuditshme tani të akuzuarin Frangu, mirëpo gjatë marrjes në pyetje të të njëjtit për të cilin është pyetur se a e njeh Leonis Frangun, i njëjti e ka mohuar.

Ndërsa në lidhje me dokumentit  i njëjti tha se është servuar në mënyrë të kundërligjshme dhe fatkeqësisht prokuroria nuk ka marr për bazë dispozitat e legjislacionit në fuqi, qoftë në  raport  me dispozitat KPP apo  edhe me ligjin për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështje penale, duke theksuar se mbrojtja në asnjë mënyrë nuk e ka  kontestuar vërtetësinë e komunikimit në mes të autoriteteve të shtetit Amerikan dhe shtetit të Kosovës, mirëpo tha se mendojnë se bazuar në parim Ligjshmërisë, duke pasur parasysh dispozitat e  të ligjit për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështje penale, pasi kjo dispozitë e precizon se bazë të dispozitave pas ngritjes se aktakuzës kërkesë për ndihmë juridike mund të bëhet nga gjykata dhe jo nga prokuroria.

Po ashtu ai tha se duke shtuar po ashtu i skandalizuar që organi ndjekës, prokuroria nuk ka gjetur mund ta përmend asnjë rrethanë lehtësues, e cila do ti të shërbej gjykatës jo vetëm për ta vërtetuar fajësinë dhe në shqiptim të matjes së dënimit po ta ketë parasysh personalitetin e të mbrojturit të tij, suke shtuar se Leunix nënshtruar për vitin e 8 radhas që ndaj nga momenti i veprimit të parë që janë ndërmarrë hetimet e para janë përgjigjur organeve kompetente dhe sjellja e tij ka qenë shembullore si në procedurë dhe jashtë veprimeve procedurale.

Kjo lëndë tre herët e para ishte gjykuar nga gjykatësi Beqir Kalludra, i njëjti është avancuar në Gjykatë të Apelit, ndërkaq kjo lëndë ka kaluar nga Departamenti për Krime të Rënda në atë Special, ku tani do ta gjykoj gjykatësi Konxheli.

Për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 shkurt 2016, Frangun e kishte liruar nga akuza për terrorizëm, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, duke e kthyer rastin në rigjykim, pasi kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare kur kishte marrë aktgjykim lirues.

Mirëpo, edhe pas kthimit të lëndës në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, përsëri me 8 janar 2019 e kishte liruar Frangun nga akuza për terrorizëm.

Pasi Frangu për herë të dytë ishte liruar nga akuza, PSRK përsëri kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit, e cila më 25 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim.

Edhe pasi rasti ishte kthyer për të dytën herë në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, përsëri, për të tretën herë me radhë, saktësisht me 19 shkurt 2020, Frangun e kishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

Por, Gjykata e Apelit, me 31 gusht 2020, kishte aprovuar ankesën e PSRK-së dhe lëndën ia kishte kthyer përsëri gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Frangut e kishte ngritur më 25 shkurt 2016, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i KPK-së.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori Faik Halili, Frangu pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën, më 3 nëntor 2014 përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, ku nga Stambolli thuhet se kishin shkuar së pari në qytetin turk Hatay, e nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër kufirit të Sirisë, me emrin Rehyanli.

Ata pretendohet se kishin kaluar kufirin nga qyteti i përmendur dhe kishin hyrë në Siri ku iu ishin bashkëngjit organizatës terroriste “ISIS”, ndërsa pas qëndrimit një kohë të gjatë në Siri përmes kufirit në Han të Elezit ishin kthyer në Kosovë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme