Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të bëjnë edhe një përpjekje për ta konstitutuar institucion më të rëndësishëm në vend.
Kjo do të jetë hera e tetë, por a do të jetë e vërtetë?
Përderisa në tentimet e para pati probleme me verifikimin e mandateve, pasi ato u miratuan, tash problemi është te kandidatja për kryetare të Kuvendit.
Opozita në asnjë mënyrë nuk po e pranon Albulena Haxhiun, kurse VV-ja nuk e ka ndërmend ta ndërrojë emrin.
Si rezultat, mbase edhe kjo herë, nuk do të jetë e vërtetë.
Albulena Haxhiu dje është pyetur disa herë me radhë nga gazetarët në Shqipëri, pse nuk po tërhiqet, por ajo ka thënë se është vendim i partisë.
Pasi gazetarja insistoi sërish, Haxhiu tha se opozita nuk mund ta përcaktojë kandidatin e pushtetit.
Hekuran Murati, deputet i Vetëvendosjes, tha se në votat “Për” Albulena Haxhiun, janë të përfshira “të gjitha komunitetet pakicë” por jo edhe ato “të subjekteve shqiptare”.
“Ne kemi vota për, s’mund të votojmë për tjerët, sepse kaq na kanë dhënë qytetarët…57 vota të deputetëve “Për”, dhe vlen të theksohet se janë të përfaqësura të gjitha komunitetet pakicë në ato vota. Por, mungon që votat e subjekteve shqiptare të marrin pjesë të zhbllokojnë. Te votat kundër pati rënie, 41 vota kundër”, tha Murati.
“Ne si parti fituese kemi kryer obligimin tonë kushtetues, kemi propozuar kandidatin. Dhe edhe obligimin kushtetues për të votuar për”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e quajti “të turpshme” dështimin e sërishëm të Vetëvendosjes për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe mosndërrimin e emrin të një kandidati që dihet që nuk kalon.
“Bllokada është për Albin Kurtin, sepse ai vetë s’po mundet me u zgjidh kryeministër, e po e sakrifikon Albulena Haxhiun”, tha ai.
“S’kanë shumicë parlamentare…Ndërrojeni kanidatin, sepse është e tuprshme dhe dëmtuese për vendin tonë…
Dojnë me ba me zor Haxhiun, nuk kalon ajo, i kanë edhe 47 tjerë…Nuk mundesh 7 herë me provu të njëjtin njeri, dhe ne prap me ardhë të martën, e me ardh prap me të njëjtin njeri”.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se “përgjegjësia është e VV-së dhe vetëm e VV-së” për dështimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Iu referua thënies së famshme të Albert Ajnshtajnit, se “është çmenduri që me veprimin e njëjtë të presësh rezultate të ndryshme” – kjo për propozimin për të gjashtën herë me radhë të Albulena Haxhiut, kur ajo s’ka vota.
“Në emër të LDK-së që ne nuk kemi votë për Haxhiun e as për kandidatë tjetër….Zgjedhjet s’i kanë dhënë shumicë askujt…Institucionet konstitutohen me marrëveshje politike…
LDK ka refuzu bashkëpunimin me VV, por janë 13 parti tjera…andaj konsideroj që ësjtë dështim i tyre dhe vetëm i tyre në qoftë se këta nuk kanë lënë hapësirë bashkëpunimi me asnjë parti tjetër”.