Lajme
Hera e 22-të: S’ka dritë në fund të tunelit
Demokracia
09:55 | 27 Maj 2025

Share:

Për herën e 22-të, sot deputetët do të shkojnë në Kuvend, sigurisht, për të dështuar sërish.

Albin Kurti nuk heq dorë nga Albulena Haxhiu, e opozita nuk pranon në asnjë formë ta votojë këtë kandidate.

“Albulena nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. Opozita po e bllokon shtetin”, tha Kurti.

Në anën tjetër, janë shtuar zërat për marrëveshje me Nismën, por që Limaj e mohoi.

Ai tha edhe pse pati dakordim gojor që Limaj të propozohet për kryetar të Kuvendit, VV-ja nuk e propozoi.

Propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar në asnjë rrethanë deri më tash.

Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Për formimin e këtij komisioni së fundmi kanë votuar 53 deputetë.

VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinj, ka bërë me dije edhe sot se AAK-ja do të votojë për kryetar të Kuvendit vetëm një kandidat unifikues.

Para fillimit të seancës, ai ka thënë se parti e tij do të mund të votojë për kryetar të Kuvendit edhe Glauk Konjufcën.

“Po mbajmë shpresë se do të propozojnë një kandidat unifikues, ose kandidate. Pra, edhe pse nuk është përgjegjësi e jona, si një parti parlamentare, prapë e kemi dhënë një opsion për me dalë nga kjo gjendje. Pra, do të japim votën për kandidat të VV-së që është unifikues. Kemi përmendur dy zonja, Bogujevcin dhe Selimin, por do të mund ta votimin edhe z. Konjufca, nëse propozohet”, ka thënë Haradinaj.

Para disa dite, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka bërë me dije se nuk lëshon pe në lidhje me propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Në një intervistë për RTK-në, Kurti ka thënë se nuk lejon që të tërhiqte Haxhi nga gara.

“Ne nuk lejojmë të shkelet gruaja më e votuar e legjislaturës së nëntë. Ne nuk po i kontestojmë propozimet e të tjerëve. Ne nuk po kërkojmë që propozimi ynë të bëhet i tyre. Unë besoj se duhet të respektohet propozimi i subjektit”, ka thënë Kurti.

Madje, ai ka ftuar partitë tjera që ta testojnë nëse i ka votat për qeveria.

“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre: ‘më testoni’. Nëse ata besojnë se Albin Kurti nuk i ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë sërish kryeministër, e kanë në dorë të më sfidojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte një fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar kuorumin”, ka deklaruar Kurti.

Të ngjashme