Sport
Henderson e nxit Liverpoolin të nënshkruajë me Bellingham
Demokracia
18:17 | 28 Mars 2023

Share:

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson ka thënë se do të ishte e mrekullueshme që “Të Kuqtë” të jenë klubi që arrin të transferojë yllin anglez, Jude Bellingham, kur ky i fundit të largohet nga Borussia Dortmundi.

Bellingham momentalisht është njëri nga lojtarët më të kërkuar në botë, ku ylli anglez para ditëlindjes së tij të 20-të ka arritur të bëjë afro 200 paraqitje për klub dhe kombëtare, dhe pritet që të largohet këtë verë nga Dortmundi, raporton KosovaPress.

Liverpooli, Real Madridi dhe Manchester City janë tri klubet të cilat po e kryesojnë garën për Bellingham, ndërsa për shërbimet e yllit anglez të interesuara janë edhe Manchester United, Chelsea e Paris Saint-Germain.

Siç ishte raportuar nga “90min”, kampi i Bellingham ka mbajtur bisedime me Liverpoolin, Realin dhe Cityn, dhe që të tri skuadrat kanë prezantuar atë që besojnë që mund të jetë një argument i fortë për ta bindur yllin anglez që të nënshkruajë me ta.

Bellingham për një kohë të gjatë nuk e ka fshehur admirimin që e ka për legjendën e Liverpoolit, Steven Gerrard, dhe marrëdhënia e tij e shkëlqyeshme me Jordan Henderson ka çuar në rritje të spekulimeve se Bellingham preferon Liverpoolin para skuadrave të tjera.

“Jam i sigurt se ai do të ulet me familjen e tij dhe në të ardhmen të vendosë se çfarë rruge dëshiron të merr. Cilado qoftë ajo rrugë, ose cilido qoftë ai klub, do të jetë një klub me fat që e ka atë. Potenciali i tij e kalon kulmin, me të vërtetë. Ai mund të jetë aq i mirë sa do ai”, tha Henderson.

“Ai ka mentalitetin e duhur, që është gjëja më e rëndësishme. Ai është special dhe nuk mund ta besojë moshën dhe mentalitetin që e ka. Ka gjëra në të cilat ai mund të përmirësohet, por baza që e ka, ai mund të arrijë nivelet që ai i do. Unë dua që ai të bëhet lojtari më i mirë që mundet. Nëse ai përfundon në Liverpool, kjo do të ishte fantastike”, shtoi Henderson.

Kontrata aktuale e Bellingham me Borussia Dortmundin skadon më 30 qershor të vitit 2025.

Të ngjashme