Lajme
Helmohen nxënësit – drejtori “Mos më shqetësoni jam në pushim”
Demokracia
16:04 | 20 Shkurt 2022

Share:

Tash e dy javë shkolla fillore “Enver Hadri” në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë është e mbyllur. Kjo për shkak se komuna kishte vendosur që për largimin e mykut nëpër klasa të përdorë disa materie të cilat prindërit e nxënësve i kanë konsideruar të rrezikshme.

Banorët kanë thënë se pasi u lye muri, disa nga nxënësit humbën ndjenjat dhe patën të vjellura.

“Komuna ka vendosur që për largimin e mykut të përdorë materie të rrezikshme, veprim i cili pati pasoja për nxënës të kësaj shkolle të cilët patën humbje ndjenjash dhe të vjellura nga erërat e rënda”, ka thënë Fidan Bejta, banori i fshatit Smrekonicë.

Bejta ka thënë për Gazetën Insajderi se shkolla ishte paraparë të hapej me datën 14 shkurt por që Inspektoriati nuk ka lejuar.

“Shkolla është e mbyllur tash e dy javë. Kanë thanë që fillon këtë të hënë, me daten 14, mirëpo inspektoriati se ka leju me fillu edhe për një javë”, tha ai.

Në lidhje me këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Drejtoreshën e Arsimit në Vushtrri, Miradije Maloku e cila tha se problemi i vetëm ka qenë mos ajrosja e nevojshme e klasave.

“Gjendja e shkollës nga myku në klasa e korridore ka qenë shumë shqetësuse, prandaj është paraqit nevoja për intervenim. Drejtori i shkollës ka marrë masën e trajtimit të murit me materje të cilën e përdorim për eleminimin e mykut edhe në shtëpit tona. Gabimi i vetëm këtu ka qenë mos ajrosja e nevojshme dhe kjo është si pasojë e frikës së dëmtimit të sistemit të ngrohjes (nuk kanë guxu mi lan dritaret hapur gjatë natës)”, tha Miradije Maloku nga Drejtoria e Arsimit.

Maloku mohoi se ndonjë nga nxënësit është alivanosur.

“Asnjë nxënës nuk është alivanosë, arsimtarët me të kuptuar se klasat nuk janë mjaft të ajrosura dhe është ndie erë e pa këndshme kanë marrë vendim për lirim të nxënësve nga mësimi”, tha ajo.

Por për Drejtorin e kësaj shkolle, Nehat Abazi shëndeti i nxënësve duket se nuk e shqetëson dhe aq shumë, Insajderi ka kontaktuar Abazin por që ai nuk ka pranuar të flas.

“Sot është ditë vikendi, mos më shqetësoni ju lutem”, tha Abazi.

Të ngjashme