Lajme
Helmimi në Deçan: Dy vdekje të dyshimta, nisin hetimet
Demokracia
09:46 | 13 Korrik 2021

Share:

Dy vdekje të dyshimta kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në komunën e Deçanit, pas situatës së krijuar nga helmimi i rreth 900 personave. Për këtë Prokuroria Themelore në Pejë tashmë ka nisur hetimet.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka thënë se pas situatës së krijuar në atë rajon, trupat e viktimave janë dërguar në Mjekësin Ligjore për obduksion.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë Nikçi për Demokracia.com.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj gjatë një konference për media ka thënë se është hera e dytë brenda muajit që ka helmime nga uji dhe kjo i ka bërë të dyshojnë se kjo mund të jetë e qëllimshme. Megjithatë, Ramosaj shton se kjo gjë duhet të vërtetohet nga organet kompetente.

Ndërsa, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka deklaruar se pas dyshimeve se mbi 800 persona janë infektuar në Deçan nga uji i pijes, mostrat e marra të ujit dhe rezultatet e nxjerra konstatojnë se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standardet evropiane. Për përfitimin e këtyre rezultateve përfundimtare, Ramadani tha se duhet të vazhdojë hulumtimi laboratorik edhe 24 deri në 48 orët e ardhshme.

Kujtojmë se që nga e shtuna rreth 900 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit, dyshimet e para janë qe kjo mund të jetë shkaktuar nga uji, derisa janë duke u pritur rezultat tjera për të zbuluar shkaqet e këtij helmimi. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme