Rreth 900 qytetarë dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes në Deçan dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka thirrur konferencë për media në orën 19:00, përcjell Dmeokracia.com.
“Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku dhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani do të flasin për temën: Informimi për çështjen e rasteve të dyshimit të helmimit në ujë për qytetarët e Komunës së Deçanit”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Kujtojmë që kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një konferencë për media të mbajtur sot ka thënë se kanë marrë vendim që uji të mos përdoret më.
“Ne kemi marrë vendim që uji të mos përdoret. Kemi ftuar prokurorinë, hetuesit, policinë e shtetit, IKSHPK-në, kompaninë “Hidrodrini” të cilët janë duke e kryet punën që të kemi një ekspertizë të saktë”, ka thënë Ramosaj.
Ramosaj ka thënë se rezultatet kanë treguar se kimikisht nuk ka probleme nga uji, por që po i presin edhe analizat biologjike./Demokracia.com/