Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se analizat e bëra deri tani nga mostrat të pacientëve të cilët janë hemuar në komunën e Deçanit, kanë treguar se cilësia e ujit ka qenë sipas standardeve të caktuara, derisa është shprehur se së shpejti do të del edhe raporti i ri.
Vitia në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se mostrat janë marrë menjëherë me 11 korrik nga rrjeti i ujësjellësit që furnizon 6 fshatra dhe nga secili fshat është siguruar nga një mostra për analizë, raporton Demokracia.com.
“Në mbrëmje kanë rezultuar me parametrat sipas udhëzimit administrativ. Më datën 13 korrik janë marrë mostrat e ujit të KRU Hidrodrinit dhe të gjitha mostrat dhe analizat kanë rezultuar pa tejkalime të vlerave të caktuara sipas standardeve të udhëzimit administrativ 16/2012. Përveç analizave, janë marrë disa mostra nga disa pacientë edhe ato kanë rezultuar negative. Për këtë arsye janë përgatitur edhe një numër tjetër i mostrave që do të dërgohen jashtë shtetit”, tha Vitia.
Kujtojmë se që nga e shtuna, mbi 1 mijë e 500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e këtij qyteti si pasojë e helmimit që fillimisht u dyshua se ata ishin helmuar nga uji. Por kjo u hodh poshtë nga IKSHPK, pas publikimit të rezultateve të analizave e që thonin se uji nuk ishte i kontaminuar.
Mirëpo ende nuk dihet shkaku që shkaktoi helmimin në Deçan./Demokracia.com/