Për shekuj me radhë, ata që kanë synuar të kryejnë krimin e përsosur, pra atë që nuk është e mundur të zbulohet, kanë përdorur shpeshherë helmin. Por ende sot ka nga ata që përpiqen të eliminojnë njerëz në këtë mënyrë, pa i ndyrë duart.
Arseniku, kukuta etj, kanë eliminuar shumë personazhe, duke lënë pas shumë pak prova mbi të cilat mund të hetohet. Në fakt, helmi e ka vështirësuar gjurmimin e autorit të vrasjes. Për më tepër, në doza të vogla, shumë substanca shkaktojnë një dobësim fizik, i cili të paktën deri në shekullin e kaluar interpretohej si sëmundje.
“Helmi ishte arma e atyre që vepronin në hije dhe donin që të fshihnin përgjegjësinë e tyre”- thotë historiani francez Zhorzh Minua, autor i librit “Kama dhe helmi:Vrasjet politike në Evropë”.
Për pasojë, ndërsa “kushdo që vret me thikë apo shpatë e bën këtë publikisht, duke marrë përgjegjësinë për të, dhe duke bërë me dije arsyet e këtij akti të dhunshëm, helmimi është cilësuar historikisht një mjet jo shumë fisnik, i përdorur nga ata që veprojnë për arsye të neveritshme, dhe në emër të një shkaku të pajustifikueshëm”.
Një bashkëpunim vdekjeprurës
Për romakët, helmet ishin një armë që e përdornin frikacakët ose në logjikën mizogjene të kohës, që preferohej si një mjet nga gratë. Një ligj që daton në kohën e perandorit Antoninus Pius (shekulli II Pas Krishtit) shprehej qartë “Plus est hominem extinguere veneno, quam occcidere gladiol” (Është më e rëndë të vrasësh një njeri me helm, sesa me shpatë).
E megjithatë në oborret perandorake tinëzare, helmet përdorshin rëndom. Vetëm se ishte e vështirë të dalloje helmimin nga vdekjet e shkaktuara nga ndonjë sëmundje, apo ndonjë ilaç që më vonë rezultoi të ishte toksik. Këtu mund të përfshihen edhe vdekja e perandorit August, që sipas historianit të kohës Tacitit, u helmua nga gruaja e tij Livia; apo ajo
e perandorit Klaud, që ishte një viktimë e gruas së tij Agripinës.
Por edhe ai Germanikus, ndoshta i vrarë nga guvernatori i Sirisë, Pisone, një njeri i besuar i perandorit Tiberius. Ka shumë më pak dyshime mbi fundin e Britanikusit, i vrarë me një supë të helmuar që ia ofroi gjysmë-vëllai i tij Neron, që për këto vrasje përdorte një eksperte të fushës që quhej Lokusta.
Dhe ishte po Neroni që“ftoi” Senekën, filozof dhe ish-mësuesi i tij, që të kryente vetëvrasje. Njeriu fatkeq, nuk pati alternativë tjetër veçse të gëlltiste një dozë të mirë të kukutës dhe më pas të priste venat. Edhe filozofi i madh i Greqisë së Lashtë, Sokrati vdiq nga helmi i kukutës. Ai ishte versioni i “ëmbël” i dënimit me vdekje që grekët rezervonin për njerëzit e denjë për respekt.
Oborret e vrasësve
Gjatë Mesjetës, helmimet u reduktuan, sepse siç shpjegon Minua “të plotfuqishmit kishin mjete të tjera për të shtypur kundërshtarët e tyre, duke filluar nga lufta private”. “Por menjëherë më pas, me lindjen dhe forcimin e shteteve kombëtare, në të cilat filloi të marrë formë sundimi i ligjit, të fuqishmit që donin të hiqnin qafe një armik, mund të përdornin vetëm mjete të paligjshme, si helmi, një mjet që lë më pak gjurmë dhe e bën më të vështirë identifikimin e fajtorit”- thotë historiani francez.
Prandaj, duke nisur nga shekulli XV, helmimi u bë një praktikë e përhapur në oborret mbretërore evropiane, veçanërisht në ato italiane. Për shembull në Firence,Duka Kozimo De Mediçi II organizoi në vitin 154, një komplot për të helmuar Piero Strocin, udhëheqësin ushtarak të një fraksioni kundërshtar.
Ai kërkoi “diçka që mund të helmojë ujin ose verën e tij, dhe udhëzime se si ta trazonte atë”.Në Venecia, Këshilli i Dhjetë, një nga organet kryesore drejtuese të Republikës në vitet 1310-1797, kishte nën urdhrat e tij disa vrasës me “mjete sekrete, të kujdesshme dhe të afta”, një referencë e qartë kjo për helmin.
Historiani Metju Lubin i Universitetit Djuk ka bërë disa llogaritje. Midis viteve 1431-1767, ndodhën të paktën 34 raste të helmimeve politike të sponsorizuara nga aristokracia veneciane. Edhe në dukatin e Milanos helmimet ishin shumë të përhapura.
Gjatë vetëm një shekulli, qyteti u drejtua me radhë nga xhaxhallarët, nipërit dhe fëmijët e familjes Viskonti. Mateo ViskontiII (1319-1355) vdiq i helmuar ashtu si babai i tij Stefano.
Pastaj është edhe historia e familjes së paskrupullt Borxhia, me Papa Aleksandrin VI në krye, që e mori dhe e mbajti pushtetin përmes vrasjeve.
Përveç goditjeve me thikë dhe mbytjeve, që nuk kursyen as familjarët e saj (Xhovani u vra nga vëllai i tij Çesare), Borxhiat përdorën shpesh edhe helmin. Legjenda thotë se ata kishin një preferencë për “cantarella”, një helm që bëhej nga avullimi i urinës në një enë bakri dhe përzierja e kripërave të prodhuara në këtë mënyrë me arsenikun. Me këtë helm ata vranë në vitin 1503, kardinalin Xhovani Mikieli.
Efektet anësore
Helmi mund të vriste edhe në mënyrë indirekte, si një efekt anësor i terapive të dozuara gabim. Arseniku dhe zhiva janë disa nga substancat me veti terapeutike që përdoreshin në Mesjetë si ilaçe. Midis shumë viktimave të njohura, një kurë e përfunduar keq ishte ajo që vrau Henrikun VII të Luksemburgut, perandorin e Perandorisë së Shenjtë Romake, që marshoi në jug të Pizës me ushtrinë e tij mbresëlënëse më 8 gusht 1313.
Gjashtëmbëdhjetë ditë më vonë, sovrani, i mirëpritur plot shpresë nga Dante, që mendontese ai do t’i jepte fund mosmarrëveshjes midis Guelfëve dhe Gibelinëve, vdiq papritur. Thuhej se i u helmua nga vera që piu gjatë ceremonisë së kungimit.
Studiuesit e Universitetit të Pizës, që në vitin 2013 analizuan trupin e sovranit, gjetën në kockat e tij një sasi të tillë arseniku,i cili mund të shkaktonte vdekje vetëm pasi të ishte marrë për disa muaj. Hipoteza është se në vend të verës, mbreti u vra nga një ilaç, me bazë arseniku dhe merkuri, i përdorur kundër plagëve në lëkurë të shkaktuara nga antraksi (sëmundje që transmetohet nga dhitë dhe kuajt).