Projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas po avancon.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se, “tashmë jemi gati për të nisur punën për ndërtimin e godinave të reja të stacioneve përgjatë linjës hekurudhore”.
Balluku bëri të ditur se, hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas do të ketë 9 ndalesa, të cilat do të ofrojnë kushte moderne e komode për të gjithë udhëtarët.
“Puna po vijon, shumë shpejt një alternativë e re udhëtimi për të gjithë qytetarët më shpejt, më lirë dhe miqësore me mjedisin”, tha Balluku.
Hekurudha Tiranë-Durrës është ndërtuar në vitin 1951. Për herë të fundit është rehabilituar në vitin 1996.
Segmenti hekurudhor do të lidhë dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë Tiranën dhe Durrësin.
Aktualisht, limiti maksimal i shpejtësisë në linjën Tiranë-Durrës është 60 km/orë. Pritet që pas rehabilitimit të hekurudhës, dhe shtimit të trenave të rinj, do të arrihet shpejtësia prej të paktën 100 km/orë.
Rehabilitimi i linjës do të jetë në një gjatësi totale prej 34.7 km.
“Linja Tiranë– Durrës shërben si për transportin e pasagjerëve ashtu edhe për atë të mallrave. Aktualisht ajo funksionon me pesë stacione: Durrës, Shkozet, Sukth, Vorë dhe Kashar. Ish-stacioni fundor i Tiranës, në qendër të qytetit, është shembur, dhe një terminal i ri do të integrohet me linjën ekzistuese”.
Ky rehabilitim do të sigurojë akses për komunitetet lokale në një shërbim hekurudhor më të shpejtë dhe të rregullt midis Tiranës, Durrësit dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Transporti i mallrave do të jetë më efikas dhe do të sjellë përfitime të konsiderueshme socio-ekonomike për komunitetet dhe bizneset.
Ky projekt është pjesë e Agjendës së Konektivitetit. Kjo agjendë synon lidhjen mes vendeve të rajonit, por edhe më gjerë, në përputhje me standardet e BE-së.