Lajme
Hekuran Murati dëmtoi buxhetin për gjysmë milion euro, pagoi pensionet edhe pas vdekjes
Demokracia
19:46 | 02 Qershor 2022

Share:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e udhëhequr nga Hekuran Murati e ka dëmtuar për afro gjysmë milion euro buxhetin e shtetit.

Kjo pasi ka vazhduar t’i paguaj pensione për personat edhe pas vdekjes së tyre.

Kështu ka gjetur Zyra e Auditorit të Përgjithshëm e cila ka konstatuar se Ministria e Financave përgjatë vitit 2021 ka realizuar gjithsej 3 mijë e 314 pagesa, në vlerë totale prej 465 mijë e 121 euro për pensione edhe pas vdekjes së përfituesve.

“Mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave shkaktojnë pagesa të parregullta, duke dëmtuar kështu buxhetin e Ministrisë”, thuhet në raport, shkruan Insajderi.

Auditori e rekomandon ministrin Hekuran Murati t’i analizojë në hollësi çështjet e pagesave më sipër dhe të shqyrtoj mundësitë për kthimin e tyre nga shfrytëzuesit në llogarinë e buxhetit.

“Gjithashtu duhet të siguroj forcimin e kontrolleve të brendshme përmes komunikimit në kohë reale në mes të regjistrave me regjistrin civil, të bëj krahasime sistematike të listave të përfituesve me informatat e marra nga ATK dhe regjistrit civil, si dhe të krijoj një komunikim më efektiv ndërmjet data bazave të skemave pensionale”, shkruhet në dokumentin e përpiluar nga gjashtë zyrtarë të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Të ngjashme