Lajme
Haziri: Më 2 maj Albin Kurti do të diskutojë për draft-statutin e Zajednicës
Demokracia
21:28 | 29 Prill 2023

Share:

“Do të diskutohet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që Albin Kurti e ka quajtur Zajednicë”, tha nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një prononcim për Albanian Post duke komentuar takimin e 2 majit në mes të kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Për rezultatet që mund t’i sjellë ky takim, Haziri tha se “nuk mund t’i paragjykoj”.

Në takimin e 2 majit, siç është njoftuar nga Bashkimi Evropian, dy do të jenë temat që do të diskutohen: Miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe paraqitja e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Por, Haziri potencoi se për Asociacionin, kryeministrit të Kosovës do t’i paraqitet draft-statuti i këtij mekanizmi, dhe kjo siç thotë ai “pa e takuar grupin punues të Kosovës, pa e ditur përbërjen sipas tyre të këtij grupi punues dhe pa e ditur se çka kanë punuar, dhe në çfarë niveli ka mbërri niveli i këtij draft-statuti”.

Në Kosovë për një kohë është menduar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për hartimin e draft-statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por, sipas Marrëveshjes së vitit 2013 dhe sipas tri vendimeve të qeverisë së Kosovës (2013, 2016, 2020) janë një grup prej disa serbëve të Kosovës që janë përgjegjës për këtë proces.

Të njëjtën për AP e deklaron edhe nënkryetari i LDK-së, por se shton se për të qeveria e Kosovës duhet ta japë konfirmimin e saj.

“Përbërja e delegacionit pa emra është pjesë e negociatave të Brukselit, por ai ekip, përveç qeverisë së Kosovës, duhet ta ketë një lloj miratimi të kryetarëve të katër komunave të Veriut”, tha ai.

Anëtarët në vazhdimësi kanë ndryshuar, derisa aktualisht deputetja e parlamentit serb, serbja nga Mitrovica e Veriut, Danijela Vujiçiç, është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues me vendimin e fundit qeveritar (2020).

Për këtë Haziri nënvizoi se “për shkak se kjo çështje është e hapur nga viti 2016, ajo zonjë është zgjedhur deputete nga partia e Vuçiç-it në Serbi”, dhe po ashtu thotë se e njëjta “është eksponente e Listës Serbe”, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Por kjo, sipas tij nuk është nuk është edhe aq e rëndësishme, të rëndësishme dhe që duhet “të na shqetësojë neve është”, siç pohon ai “painteresimi total i kësaj qeverie që të merret me grupin punues, dhe ky është problemi kryesor”.

Përtej dy çështjeve që i ka publikuar në agjendën zyrtare Bashkimi Evropian për takimin në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it, numri dy i LDK-së nuk pret që ndonjë çështje tjetër mund të diskutohet.

“Përveç nënshkrimit, apo dakordimit eventual të marrëveshjes për personat e zhdukur, tani a do të jetë terminologjia sipas kërkesës së Kosovës, që ne e kemi realizuar më herët, persona të zhdukur me dhunë, mbetet të shihet në draftin final”, tha ai për AP.

Po ashtu, ai shtoi se marrëveshja për të pagjeturit “është njëra nga dokumentet që është miratuar që një kohë të gjatë, por ka pritur formalizmin e saj”.

“Fatkeqësisht kjo do të bëhet mbulesë e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në të njëjtën ditë, pra për nevoja të brendshme”.

E, sipas Hazirit “loja me çështjet e dhimbshme, siç është ajo e të pagjeturve është e rrezikshme”.

Ndryshe, ky takim vjen pasi që Kosova dhe Serbia kanë dhënë PO-në e tyre për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve, e kjo ndodhi fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin zbatues në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Të ngjashme