Lajme
Haziri: Kurti e pranoi Asociacionin më 18 mars, tash mund të ndodhin kompromise të dhimbshme
Demokracia
13:46 | 03 Maj 2023

Share:

Zbatimin e marrëveshjes së fundit me Serbinë e ka cilësuar si barometrin kryesor për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Europës nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili është edhe përgjegjësi i kësaj partie për dialog me Serbinë.

“Nuk ka ecje tani pa kushte”, thotë Haziri për procesin e mëtutjeshëm të Kosovës në rrugën e anëtarësimit.

Në një bisedë për Gazetën Express, Haziri tha se marrëveshja e 18 marsit është marrëveshje që kryeministri Kurti e ka injoruar për vite dhe se është arritur në pikën që tani Kosova ta ketë gur në qafë në ecjen e saj për integrime euroatlantike, por edhe për anëtarësimin në institucione ndërkombëtare siç është Këshilli i Evropës.

Sidoqoftë, Haziri thotë se Kosovës iu hap rruga për anëtarësim në Këshillin e Europës falë diplomacisë së shteteve mike, duke thënë se po të mbetej në dorën e asaj kosovare “do të kolabonte”.

Nënkryetari i LDK’së kritikoi kryeministrin Kurti edhe për procesin e dialogut.

Ai paralajmëroi se do të ketë kompromise të dhimbshme në themelimin e Asociacionit, derisa tha se kryeministri duhet të dalë dhe të shpjegojë për formën e tij.

Ndërkaq, për Ekipin Menaxhues, Haziri tha se ka mundur të ndryshohet dhe riorganizohet, por dialogu nuk është trajtuar si prioritet këto dy vite

“Delegacionin e Kosovës e ka zënë vonë gjithçka në këtë proces”.

Kosova kaloi fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës duke e hapur rrugën për t’u bërë pjesë e kësaj organizate. A mendoni se kjo erdhi vetëm pas lëshimeve që u bënë në dialog nga Kryeministri Kurti – pra, a ishte e kushtëzuar me Asociacionin dhe pjesët tjera të marrëveshjes?

Lutfi Haziri: Natyrisht që ka qenë e kushtëzuar, por në raport me progresin në dialog, ka qenë pjesë e procesit. Progresi i dialogut i ka hapur rrugë përfundimisht liberalizimit të vizave dhe pranimit të aplikimit në Këshillin e Evropës. Kjo dëshmon se kur koordinohesh me partnerët ndërkombëtarë dhe me miq, progresi mund të jetë më i sigurt. Mos të harrojmë që rekomandimi i parë për liberalizimin e vizave është bërë në vitin 2016, ndërsa fajtorë për vonimin deri tani është partia në pushtet që sot ka qeverisjen si shumicë politike.

Ambasadori gjerman në reagimin e tij e bëri të qartë se rruga e mëtejme për anëtarësim në KiE lidhet pikërisht me implementimin e marrëveshjes. A mendoni se rrugës mund të dalin edhe kushte tjera – përveç dialogut me Serbinë – miratimi i ligjeve të caktuara në Parlament, pastaj çështja e pronës së Manastirit të Deçanit?

Lutfi Haziri: Definitivisht që po. Marrëveshja e 18 marsit do të jetë kriter në ecje, do të bëhen vlerësime të shpeshta dhe progresi i matshëm lidhet me implementimin e marrëveshjes. Nuk ka ecje tani pa kushte! Marrëveshja e 18 marsit është e vonuar dhe e kushtëzuar, është marrëveshje që kryeministri e ka injoruar për vite dhe përfundimisht është dashur të arrihet në atë pikë që tani Kosova ta ketë gur në qafë në ecjen e saj për integrime euroatlantike, por edhe për anëtarësimin në institucione ndërkombëtare siç është Këshilli i Evropës.

Si i komentoni votat e shteteve në këtë proces? Çka treguan ato?

Lutfi Haziri: Ambasadorët, si përfaqësues të shteteve, kanë lejuar që të përfshihet në rendin e punës dhe kjo është politikë e subordinuar me ministritë e jashtme dhe shtetet e forta si Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe të tjerët, me ndihmën e diplomacisë amerikane, e kanë shtyrë këtë pikë.

Po hulumtohet mekanizmi më i lehtë dhe në proces të votimit për anëtarësim të plotë, sepse po priten përçarje në procesin e votimit, kështu që po hulumtohet mekanizmi më i lehtë që të sigurohen 2/3 e votave për anëtarësim.

Meqë vota e Hungarisë ishte befasuese, çfarë duhet të bëjë Kosova me këtë shtet që e ka njohur?

Lutfi Haziri: Nuk është befasi. Sjellja e kryeministrit hungarez ka qenë e pritur. Në disa hapa ka pritur progres më të madh në raport me dialogun. Mos harroni, roli i tij në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA ka qenë kritik jo vetëm për faktin që është mbajtur në Budapest, por edhe lobimi që ai ka bërë. Ka munguar një komunikim më i mirë dhe më i drejtpërdrejtë me Hungarinë në radhë të parë, por kjo qeveri ka ndërtuar marrëdhënie të tensionuara me shumë shtete dhe me vetë BE-në në disa raste. Falë diplomacisë së fuqishme gjermane në veçanti, ky proces po ec në binarë të sigurt, përndryshe, nëse do varej nga ministria e jashtme e jona do të kolabonte qysh në start ky proces.

Sa prisni që do të marrë kohë i gjithë procesi i anëtarësimit?

Lutfi Haziri: Varet nga matja e progresit në Kosovë. Implementimi i marrëveshjes së 18 marsit tash është barometri kryesor fatkeqësisht. Draftimi i statutit të asociacionit me shumicë serbe është dokumenti apo “elefanti në dhomë” në të cilin po presim progres. Kjo shumicë politike në qeveri, që përfshinë Presidentin, Kryetarin e Kuvendit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, duhet të koordinohen dhe të gjejnë rrugën e duhur për implementimin e asociacionit. Duhet të dilet e t’i kërkohet falje qytetarëve për premtimet e së kaluarës dhe t’i tregohet që Kosova nuk mund të mbahet peng për asociacionin sepse ai duhet dhe do të ndodhë. Nuk duhet të bëhen deklarata populliste duke drejtuar gishtin kah e kaluara dhe duke rrezikuar të ardhmen.

 Meqë dje ishte takimi në Bruksel, disa pyetje edhe rreth Asociacionit. A mendoni se Kurti do ta pranojë themelimin e tij? Bazuar në kufijtë që i kanë vendosur aleatët, çfarë Asociacioni prisni?

Lutfi Haziri: Kurti më 18 mars ka pranuar asociacionin, ajo është çështje e mbyllur. Draft-statuti do të negociohet shkronjë për shkronje e pikë për pike. Nëse vazhdojnë sikur deri sot, duke mos e punuar me grupin punues, duke mos marrë iniciativë, së paku për riorganizim dhe ndërrim eventual që ka mundur të ndodhë me negociata, do të ketë kompromise të dhimbshme dhe natyrisht që kryeministri duhet të dalë dhe të shpjegojë për formën, modalitetin dhe mënyrën e implementimit, sepse marrëveshja në parim është pranuar më 18 mars, përfundimisht.

Prezantimi i një drafti nga një ekip i Kosovës, por që në përbërje ka edhe deputetë të Serbisë, a do ta lehtësojë procesin apo do të krijojë edhe më shumë vështirësi?

Lutfi Haziri: Ai grup punues është edhe derivat i marrëveshjes, derivat i negociatave. Ka mundur të ndryshohet dhe riorganizohet, por dialogu nuk është trajtuar si prioritet këto dy vite. Delegacionin e Kosovës e ka zënë vonë gjithçka në këtë proces. Ai tani po befasohet, sepse nuk i ka ditur detajet.

Të ngjashme