Lajme
Haziri: Kurti e ka përjashtuar nga dialogu Konjufcën dhe Osmanin
Demokracia
18:45 | 10 Maj 2023

Share:

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti ka përjashtuar nga procesi i dialogut me Serbinë edhe krerët shtetëror.

Ai ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca janë shumë larg këtij procesi.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Haziri ka thënë se në të njëjtën mënyrë Kurti e ka përjashtuar edhe opozitën.

“Kurti ka përjashtuar nga procesi edhe Konjufca si kryetar i Kuvendit. E përjashtuar është edhe presidentja, fatkeqësisht. Pra, janë të përjashtuar prej procesit. E përjashtuar është edhe opozita më herët. Partitë kryesore, që kanë memorie institucionale dhe ekspertizë në negociata e dialog, janë të përjashtuar”, ka thënë Haziri.

Ai ka vlerësuar se deklarata e Osmanit dhe Konjufcen për dialogun e Brukselit janë vetëm për konsum të brendshëm.

“E vetmja hapësirë e tyre janë deklaratat e vonshme shpeshherë, por i lexoj më shumë për konsum të brendshme. Nuk kanë të bëjnë asgjë me procesin dhe me të vërteten. Janë deklarata për konsum të brendshëm dhe menaxhim ditor të situatave. Janë larg procesit”, ka deklaruar ai.

Sipas Hazirit, partitë opozitare për procesin informohen vetëm nga partnerët ndërkombëtarë.

“Ne se paku, partitë kryesore opozitare jemi në koordinim të ngushtë me BE-në dhe me partnerët tjerë që janë të interesuar dhe janë të lidhur ngushtë me Kosovën. Se paku e kemi një komunikim aktiv. Ne e kemi taku z. Laçak si parti politike 11 herë, kurse kryeministrin e Kosovës vetëm 3 herë”, ka treguar Haziri.

Vonesat në dialog, të dëmshme për Kosovën

Zyrtari i LDK-së ka kritikuar kryeministrin Kurti se me qasjen e tij e ka degraduar procesin e Brukselit.

“Nga një marrëveshje gjithëpërfshirës obligative ligjore me njohje si qëllim kryesor, ne kemi degraduar në një marrëveshje të përkohshme, ku Kosova do ta ketë kriter për integrim në BE. Dhe matësi kryesor i progresit do të jetë tani marrëveshja e 18 marsit, ndërsa Serbia në kapitullin e 35 mund të të ndihmohet në ecjen për në BE”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se më vonesat në këtë proces nuk do të tolerohen.

“Çdo vonës që kjo qeveri mund ta shkakton tash ka me qenë e dëmshme dhe kompromiset kanë me qenë më të vështira për Kosovën. Më 18 mars është dhezur alarmi i kuq. Palët nuk janë falënderuar nga partnerët ndërkombëtar për konstruktivitet. Është thënë se palët kanë arritur një dakordim për me ec para dhe kjo falë presionit dhe trysnisë së partnerëve ndërkombëtar”, është shprehur ai.

I dyti i LDK-së ka theksuar se koha i ka dhënë të drejtë partisë së tij në këtë proces.

“Koha na dha të drejtë ne në LDK, se marrëveshja do të fillon të zbatohet nga neni 7, nga draft-statuti i Asociacionit dhe tani po shihet, tash e disa javë, që nuk flitet për asgjë tjetër, pos për zbatim”, ka treguar Haziri.

Sipas tij, çdo marrëveshje e bërë nga kryeministri Kurti ka qenë degradim nga marrëveshjet e mëhershme.

“Ka qenë gabim marrëveshja e 18 marsit dhe jo vetëm në disa provizione të saj. Ka qenë degradim, ka qenë me e ulet se marrëveshjet e realizuara më herët”, ka thënë Haziri.

Ekipi Menaxhues është dashur të shkarkohet më herët

Nënkryetari i LDK-së ka bërë me dije se Qeveria është dashur ta shkarkon Ekipin Menaxhues më herët.

Ai ka thënë se në vend se ta shkarkonte ketë ekip, kryeministri Kurti është marrë me gjera tjera të parëndësishme.

“Para dy viteve. Ne po flasim për një mandat që ka kaluar para dy viteve dhe nuk është dashur me pritë me dergu propozimin e tyre në Bruksel. Sepse ai propozim është i njohur për Qeverinë e Kosovës, ka qenë i njohur prej ditës së parë, sepse ka qenë në fajlin e dokumenteve që i është dorëzuar kryeministrit Kurti. Mos marrja me problemin kryesor në këto negociata, por me problemet periferike duke gjetur fajtorin, është harruar problemi kryesore. Tanimë është bërë shumë vonë, sepse ai dokument është prezantuar”, ka vlerësuar Haziri.

Më tej, ai ka treguar se si kryeministri ka mundur ta shkarkonte këtë ekip.

Sipas tij, shefi i ekzekutivit paraprakisht është dashur t`i tregon ekipit vijat e kuqe.

“Kjo bëhet në konsultime me ndërmjetësin, jo njëanshëm. Është dashur me z. Lajçak me e nxjerr çështjen e ekipit menaxhues. Me thanë ka deputet në Kuvendin e Serbisë dhe nuk mundet me qenë në ekip, ka anëtar që nuk janë banor të komunave në pjesën veriore, sepse marrëveshja e thotë se disa nga anëtaret duhet me qenë banorë. Pse duhet me shku aty prej Shtërpcës apo prej Beogradit”, ka thënë Haziri.

Duke e komentuar draft-statutit e Ekipit Menaxhues, i cili është prezantuar në Bruksel, zyrtari i LKD-së ka thënë se ai dokument është i rrezikshëm për Kosovën.

“Nuk është vetëm ndarje e brendshme. Kosovën e degradon në kuptimin kushtetues, institucional e funksional dhe e ndan në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Është materie që nuk mund të zbërthehet e të negociohet në kuptimin bukfal të fjalës”, është shprehur ai, duke shtuar se dokumenti ka pretendimet territoriale ndaj Kosovës.

“Ai draft-dokument ka pretendime territoriale në Kosovë. Nuk e cenon vetëm kushtetutshmërinë, por pretendimet përmes referendumeve të paralajmëruara dhe formave tjera, si menaxhimi i pronave shoqërore dhe aseteve tjera të republikës sonë. Ato janë të papranueshme, por kjo është toleruar nga z. Kurti me dal në tavolinë”, ka thënë Kurti.

Kurti e ka pranuar Zajednicën

I dyti i LDK-së ka thënë se kryeministri i Kosovës më nuk mund të fshihet më prej marrëveshjeve që ka bërë.

Ai ka thënë se i pari i Qeverisë tashmë duhet ta pranoi se është pajtuar me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Duhet me thanë qartë se ai ka bërë kompromis në marrëveshjen e 18 marsit, ai e ka pranuar asociacionin që do të implementohet në territor të Republikës së Kosovës. Dhe z. Kurti nuk është kundërshtues i Zajednicës, është krijuesi më i ri i Zajednicës dhe implemtuesi i saj”, ka thënë Hazir.

Sipas tij, këtë marrëveshje do ta zbaton kushdo që është në pushtet.

“E vërteta është se z. Kurti e ka pranuar Asociacionin apo Zajednicën siç i ka thënë ai. Se a do ta implemton ai, apo do ta implemeton një kryeministër tjetër, koha do ta dëshmon. Sot ai është kryeministër, dhe ai do të merret me implementimin e marrëveshjes. Kjo është e vërteta e madhe”, ka thënë Haziri.

Të ngjashme