Lajme
Haziri: Kurti e ka mbyllur partneritetin më 9 shkurt
Demokracia
23:31 | 21 Prill 2025

Share:

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti më 9 shkurt e ka mbyllur partneritetin me partitë e tjera.

Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se Kurti e kishte mbyllur mundësinë për bashkëpunim nëpërmjet fjalëve ofenduese në natën e zgjedhjeve parlamentare, teksa shtoi se partneriteti “ndërtohet, e nuk është akt”.

Ai foli për një krizë politike që tha se “do të thellohet”.

“Kjo është krizë politike. Sa do të thellohet varet nga iniciativa e partisë së parë. Varet nga sjellja e partisë së parë. S’do të duhej nga të tjerët të bënin veprime. Kurti më 9 shkurt ka dalë dhe e ka mbyllur partneritetin. Ka thënë unë partnerët i kam zgjedhur, s’kam të tjerë”, ka thënë Haziri.

Ai ka shtuar tutje se pa marrëveshje politike nuk do ketë ecje përpara.

Ai foli për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit, ku tha se ky tashmë është proces politik, e jo procedural.

“Ky është proces politik, e jo procedural. Ftesat për konsultime si ‘ne e kemi kandidatin për kryeparlamentar, e ju bini kandidatin për nënkryetar’. Kjo s’është zgjidhje sepse udhërrëfyesi i Gjykatës Kushtetuese ekziston…Partia e parë duhet të bëjë përpjekje për të krijuar shumicën që mundëson zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së shtoi se brenda Vetëvendosjes ka emra të tjerë për postin e kryetarit të Kuvendit, duke shtuar se “ka qenë befasi lëvizja e Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit”.

Të ngjashme