Lajme
Haziri kritikon Qeverinë: Keni degraduar, dështuat edhe në dialog
Demokracia
12:06 | 15 Maj 2023

Share:

Sot në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të takohen zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq.

Fokusi i takimit do të jetë zbatimi i marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se pret që palët të bien dakord për hapat konkretë drejt zbatimit të marrëveshjes.

Pritshmëri për takimin e sotëm nuk ka shprehur ish-negociatori, Lutfi Haziri.

Haziri tha për Front Online se nuk pret asgjë nga takimi mes dy palëve në Bruksel.

Sipas tij, Qeverisja ‘Kurti’ ka degraduar në këtë aspekt.

“Nga ky takim nuk presim asgjë, as nga përfaqësimi i yni. Kanë degraduar dhe do të vazhdoj degradim. Se qeverisja Kurti nuk ka lëvizur nga pika 0 po vazhdon të qëndrojë ende aty”, u shpreh Haziri.

Ish-negociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Lutfi Haziri ka komentuar edhe draft-statutin për Asociacionin e prezantuar javë më parë nga ekipi menaxhues.

Haziri thotë se dokumenti i prezantuar nuk ka të bëjë me Kosovën.

“Draft-statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën dhe ai dokument nuk është dashur të lejohet fare të shkojë në Bruksel edhe ky është një dështim tjetër i Qeverisë”, thotë Haziri për Front Online.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak përmes një postimi në Facebook, tha se në takimin me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi ka theksuar nevojën e fokusimit të plotë në normalizim dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të Ohrit.

“Ndalesa ime e parë ishte në Prishtinë, ku u takova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi. Gjatë takimit diskutuam pritshmëritë për takimin e ardhshëm në Bruksel dhe theksova nevojën e fokusimit të plotë në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të Ohrit. Theksova gjithashtu rëndësinë e shmangies së çdo lëvizjeje të pakoordinuar që mund të prishë procesin”, ka shkruar Lajçak.

Të ngjashme