Lajme
Haxhiu thotë se edhe Rakiçi torturoi Sandulloviçin
Demokracia
20:57 | 21 Janar 2024

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, reagoi sërish për dhunën brutale që ushtruan shërbimet sekrete të Serbisë ndaj politikanit opozitar, Nikolla Sandulloviç, duke thënë se përveç udhëheqësit të paramilitarëve serbë, Millan Radoiçiç, në torturën ndaj Sandulloviçit mori pjesë edhe Goran Rakiç, ish-kryetari i Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve në Kosovë.

Haxhiu, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, konsideroi se Lista Serbe nuk i ka përfaqësuar kurrë serbët e Kosovës, por përkundrazi. Ajo shkroi se Lista Serbe luan rolin e korrierit të porosive të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili kontrollon serbët në pjesën veriore të Kosovës.

“Tani e dimë se përveç Milan Radoiçiçit – udhëheqësit të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë – Goran Rakiç, ish-kreu i Listës Sërpska të kontrolluar nga Beogradi, gjithashtu mori pjesë në torturat ndaj Nikolla Sandulloviçit. Ajo parti kurrë nuk kishte për qëllim të përfaqësonte qytetarët serbë, por t’i çonte në vend porositë e Vuçiçit”, shkroi e para e drejtësisë në vend.

Sandulloviçi dyshohet se u rrah për shkak të një postimi në “X” disa ditë më parë. Kreu i Partisë Republikane të Serbisë (RS) riktheu në fokus vizitën e tij në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke shprehur ngushëllime në emër të popullit serb për vrasjen e mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari nga ushtria dhe policia serbe në mars të vitit 1998.

Për rastin e Sandulloviçit reaguan edhe komuniteti ndërkombëtar, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe që të respektojnë detyrimet që burojnë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), veçanërisht duke kryer një hetim të shpejtë, efektiv dhe të pavarur mbi akuzat serioze për keqtrajtimin e politikanit serb nga agjentët shtetërorë të Serbisë.

Të ngjashme