Lajme
Haxhiu: Qeveria “Zdravo”, a edhe në abetare po doni me vjedh a?
Demokracia
21:41 | 21 Gusht 2023

Share:

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i është kundërpërgjigjur ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila sot tregoi se këtë vit paratë për blerjen e librave do t’u transferohen direkt prindërve në xhirollogari, nëpërmjet platformës e-Kosova.

E sipas Haxhiut, mos-shpërndarja e librave shkollorë për nxënësit e shkollës fillore është dëshimi i radhës i Qeverisë Kurti.

“Qeveria “Zdravo”, a edhe në ABETARE po doni me vjedh a? Mos shpërndarja e teksteve shkollore për nxënësit, është dështimi i radhës i Qeverisë, me qëllim të përfitimit nga rimbursimi përmes oligarkëve të bankave”, shkroi ai në Facebook.

“Tani e 15 vite prindërit nuk e kishin këtë obligim të blerjes së librave pasi këtë barrë ua pat heqë Hashim Thaçi duke ua siguruar librat falas përmes MASHT-it. Për 330 mijë nxënës oligarkët e bankave do të përfitojnë nga transaksionet bankare afro 1 milion euro, ashtu siç po përfitojnë nga 10 euro në shtesat e fëmijëve ku 2.5 euro i përfitojnë oligarkët e bankave nga transferet bankare”, shtoi ai.

“Këta analfabetë funksional duhet të shkojnë në shtëpi, nuk janë të aftë të qeverisin, edhe në libra shkollorë po tentojnë të vjedhin edhe ne ABETARE! Çdo ditë skandale sikur me pas qenë në pushtet që 20 vjet e janë lodhur nga puna e angazhimi a në fakt asnjë sukses të Qeverisë nuk po e prekin qytetarët”.

 

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024