Lajme
Haxhiu për Asociacionin: Kurti bëri zgjedhjen e duhur
Demokracia
12:50 | 25 Mars 2023

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e sotme për media, është pyetur edhe për protestën kundër marrëveshjes së arritur në Ohër që do të mbahet sot në Prishtinë.

Ajo u pyet nëse do të dalë në protestë sikurse ka bërë dikur kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, Haxhiu tha se nuk janë periudha të njëjta dhe se kryeministri Kurti në Ohër ka mbrojtur me dinjitet interesin e Kosovës.

“Kosova s’ka pasë një kryeministër që mbron në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e qytetarëve. Asnjëherë më parë s’ka pasë përfaqësim më të dinjitetshëm të Kosovës, por siç e dini në të kaluarën kur interesat e shteti s’janë përfaqësuar drejt dhe denjësisht. Prandaj, edhe kemi pasë koncesione të shumta, pasojat e të cilave po i vuajmë sot”.

Haxhiu tha se kryeministri Kurti ka bërë zgjedhjen e duhur dhe “sigurisht që ka pasë qëndrime për Asociacionin apo planin e Bashkimit Evropian”.

Ministrja e Drejtësisë tha se për ata që e kundërshtojnë këtë marrëveshje janë në dispozicion mjetet demokratike.

“Nuk konsiderojmë që po cenohen interesat e Republikës së Kosovës, nuk konsiderojmë që po cenohen interesat e qytetarëve. Ata të cilët konsiderojnë [që po cenohen interesat] i kanë mjetet demokratike, të cilat i njeh edhe Kushtetuta e Kosovës, le të vazhdojnë”.

Të ngjashme