Lajme
Haxhiu në “mbrojtje” të krimit, sulmon Prokurorinë për Rozeta Hajdarin dhe Nagip Krasniqin
Demokracia
21:53 | 08 Janar 2024

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se “ka një hakmarrje të hapur” të sistemit prokurorial ndaj Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

“Nuk ndërhyjmë në procese gjyqësore, por nuk mundemi të mos flasim kur ka një hakmarrje të hapur të sistemit prokurorial ndaj njerëzve të cilët po bëjnë reforma. Shihi raportet financiare të KEK-ut dhe vjen në përfundim se në çfarë gjendje ka qenë KEK-u dhe në çfarë gjendje është tani apo ndërmarrjeve tjera. Veprimet ndaj ministres Hajdari dhe ndaj zotëri Krasniqit unë i shoh si hakmarrje”, tha Haxhiu në emisionin Tempus në KTV.

Ajo ka shtuar se asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë reagime të Këshillit Prokurorial të Kosovës ndaj veprimeve të Qeverisë, derisa ka shtuar se “problemi i tyre është vettingu dhe reforma që kemi ndërmarrë”.

“Nuk pajtohemi që deklaratat ndaj sistemit të drejtësisë për mosveprime janë ndërhyrje dhe nuk do të pajtohemi asnjëherë. Për mua është e rëndësishme që të gjithë ta kryejnë punën që ne mos të reagojmë”, potencoi e para e MD-së.

Gjatë intervistës, Haxhiu e ka pranuar se Vettingu nuk do të jetë siç ishte premtuar fillimisht nga partia e saj, Vetëvendosje, gjatë fushatës parazgjedhore, pas opinionit të Komisionit të Venecias.

“Ne kemi pas propozimin që të ketë Vetting për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, jo vetëm për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë dhe këtë nuk e ka pranuar Komisioni i Venecias, sepse edhe në takimet që kemi pasur me raportuesit të cilët kanë qenë të angazhuar për trajtimin e këtyre amendamenteve, e kanë parë si problem modelin e Republikës së Shqipërisë”.

Të ngjashme