Mes debateve të ashpra është zhvilluar mbledhja e Komisionit Hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.
Opozita ka kritikuar pushtetin se po tenton të shndërrojë vendin në sistem autokrat. Për këtë reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se Gjykata Kushtetuese është bërë institucion aleat me opozitën. Kjo e fundit kritikoi edhe prokurorët e gjyqtarët, për çka reaguan deputetët e partive opozitare.
Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe mentaliteti patriarkal, siç tha Haxhiu, janë faktorët kryesor që po ndikojnë në rritjen e dhunës në familje.
Haxhiu bëri të ditur se Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk po bëjnë futjen e të dhënave në databazën në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
“Ne kemi databazën në kuadër të MD-së ku shohim futjen e të dhënave nga Qendrat për Punë Sociale, strehimoret, policia, prokuroria e gjykatat. Është problem edhe për Ministrinë e Drejtësisë, sepse pikërisht institucionet që janë kyçe në këtë proces nuk po fusin të dhënat, edhe përkundër faktit që gjithë zyrtarët janë trajnuar dhe kanë secili prej tyre llogari në raport me qasjen në databazën që e ka Ministria e Drejtësisë”, deklaroi Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se gjatë këtij viti kanë ndarë buxhet rreth 900 mijë euro për strehimoret. Sipas saj, ky është buxheti më i lartë krahasuar me vitet paraprake.
“Gjatë këtij viti ne kemi ndarë buxhet për strehimoret rreth 900 mijë euro, që është buxheti më i madh që është ndarë ndonjëherë për strehimoret krahasuar me vitet e kaluara, kur herë është ndarë 370 mijë, herë 400 mijë euro, e herë 450 mijë euro. Ndërkaq gjatë këtij viti ka qenë buxheti rreth 900 mijë euro që është ndarë për strehimoret. Aq sa kanë kërkuar strehimoret buxhet ju kemi ndarë, më shumë nuk kemi pasur mundësi sepse ligji nuk lejon që të ndajmë buxhet më shumë se që kërkohet”, shtoi ministrja e Drejtësisë.
Megjithatë, deputetë të opozitës deklaruan se kjo shumë nuk është e mjaftueshme për strehimoret në vend.
Më tej, Haxhiu tha se deri më tani nuk kanë parë veprime të prokurorëve e gjyqtarëve, të cilët nuk kanë kryer punën e tyre si duhet.
Për këtë reagoi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, e cila tha se pushteti po tenton ta kthejë vendin në shtet autokrat.
“Gjykatësit dhe prokurorët të merren në përgjegjësi për mos-kryerjen e punës së tyre dhe kjo do të thotë që është një tentim për shndërrim të shtetit nga demokratik në autokratik. Dhe nëse ky është qëndrimi i këtij komisioni dhe qeverisë, atëherë ky është një komision i dështuar”, u shpreh ajo.
Në replikën e saj, Haxhiu tha se Gjykata Kushtetuese është bërë aleate e opozitës. Pas deklaratës së saj, kanë reaguar edhe deputetët e partive opozitare.