Lajme
Haxhiu inkurajon opozitën që të hedhin gaz lotsjellës nëse bëhet Asociacioni njëetnik
Demokracia
21:29 | 03 Shkurt 2023

Share:

Derisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, si masa kundërshtimi ndaj ngjarjeve të ndryshme që ndodhnin në vend, përdorte edhe forma jokonvencionale. Njëra nga to ishte (edhe) hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “LIBERO”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, periudhën e gazit lotsjellës në Kuvend e cilësoi si një nga momentet më të vështira në politikë.

“…Unë jam e bindur se po të mos ishin ato metoda që i kemi përdorur, sot do t’i vuanim pasojat e Zajednicës… Konsideroj se ka qenë një prej periudhave të mia më të vështira…”, deklaroi Haxhiu.

Ajo befasoi derisa tha se e inkurajon opozitën që t’i përdorin të njëjtat metoda sikurse ata.

“…I inkurajoj ata se në qoftë se kanë një Qeveri (Qeverinë tonë), e cila përpiqet që të themelojë një Zajednicë me kompetenca ekzekutive, një Zajednicë etnike (apo siç e përmendi Kryeministri, mono etnike), atëherë le ta bëjnë këtë… Mund edhe t’iu tregojmë mënyra se si e kemi gjetur gazin lotsjellës (sepse ka qenë sekret)… E kanë të gatshëm modelin…”, theksoi ajo.

Kujtojmë se më 19 prill 2013, u nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, që parashihte themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e që më vonë u quajt “Zajednicë”.

Që nga ajo kohë e deri më sot, kjo temë vazhdon të diskutohet në vazhdimësi, duke i bërë partitë politike të kenë përplasje të vazhdueshme njëra me tjetrën.

Të ngjashme