Lajme
Haxhiu e VV-së e bën notere në Prishtinë gruan e njeriut të fuqishëm të tenderëve në pushtetin e LDK-së
Demokracia
14:37 | 22 Prill 2025

Share:

Noter në Kryeqytet është një nga pozitat e lakmuara për të cilën ka pasur vazhdimisht ‘garë’ të fortë. Por, në fund është kompetencë e Ministrit të Drejtësisë se kush ku bëhet noter. Dhe, Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, me dorë të saj e nënshkroi vendimin që një nga noterët në Prishtinë të jetë Anduena Gashi Shehu. Ajo është gruaja e njeriut kryesor të tenderëve në pushtetin e LDK-së në Prishtinë, Visar Shehu, dhe reja e Kryetarit të Junikut, Ruzhdi Shehut, po ashtu LDK.

Që nga emërimi si Ministre e Drejtësisë nga Kryeministri Albin Kurti, Albulena Haxhiu herë pas herë ishte marrë seriozisht me noterët. Kishte pasur edhe debate jo fortë të këndshme me ish-Ministri, Abelard Tahiri i PDK-së.

Situata shkoi deri aty sa një anulim i konkursit të vitit 2019, kishte bërë Tahirin që ta paralajmëronte Haxhiun që do të përfundojnë në gjyq.

Vitet kaluan, dhe më në fund më 7 prill të këtij viti i erdhi rendi që noterët e rinj të fillojnë punë.

Pozita më e kërkuar? Noter në Prishtinë. E për këtë regjion u ndanë pesë vende, por se kush ku do të caktohet, sipas normave ligjore në fuqi, është komplet në dorën e Ministrit të Drejtësisë, e që kësaj herë ishte Albulena Haxhiu.

Ajo është bashkëshortja e njeriut të fuqishëm në pushtetin e LDK-së në Prishtinën e drejtuar nga Përparim Rama, Visar Shehut.

Bashkëshorti i kësaj notereje, Visar Shehu, tash e disa vite është Shef i Zyrës së Prokurimeve në Komunë e Prishtinës të udhëhequr nga LDK-ja, derisa e njëjta është edhe reja e Kryetarit të Junikut, Ruzhdi Shehu, po ashtu nga partia e Lumir Abdixhikut.

Gazeta Insajderi e ka pyetur Albulena Haxhiun tash e më shumë se një javë se cilat kanë qenë kriteret që ajo ka përdorur kur ka caktuar në Kryeqytet si noterë bashkëshorten e Shehut, njeriut që nënshkruan kontratat e tenderëve milionësh në Prishtinën e drejtuar nga LDK-ja, por e njëjta nuk ka pranuar që të komentoi deri tash.

E njëjta i ka ikur edhe komentit nëse njihet personalisht me Visar Shehun, dhe as nuk ka kthyer përgjigje për pakënaqësitë e disa noterve që janë banorë të Prishtinës, por me vendim të saj janë dërguar që të shërbejnë në komuna fare larg nga Kryeqyteti.

As bashkëshorti i noteres Anduena Gashi Shehu, Visar Shehu, nuk ka komentuar në pyetjet që i janë dërguar atij duke e mbajtur të informuar edhe vet noteren Gashi-Shehu.

Haxhiu, dhe Shehu po ashtu, janë pyetur direkt që në festën e madhe që organizoi noterja Anduena Gashi Shehu kur e nisi biznesin e saj, a ishte e ftuar edhe vet Albulena Haxhiu. Asnjëri nga ta nuk ka kthyer përgjigje.

Që shkurti i vitit 2023, Visar Shehu, djali i kryetarit të Junikut Ruzhdi Shehu, është caktuar në krye të zyrës së tenderëve  në Komunën e Prishtinës, që ka rëndomë tenderë të mëdhenj, dhe jo rrallë milionësh e me dyshime serioze që ngritën nga ankesat e kompanive.

Visar Shehu ka qenë hetues në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)- departamenti  i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai dha dorëheqje nga kjo punë, për të kaluar ngadalë tek bota e tenderëve, një herë  si zyrtar i prokurimit, e tash edhe si shef i zyrës në Kryeqytet.

Të ngjashme