Lajme
Haxhi Avdyli shërbehet me lajme nga mediat e Vuçiqit për ‘armët britanike’, demantohet nga “shefja” e tij
Demokracia
10:24 | 20 Prill 2022

Share:

Zbarkimi i një avioni luftarak i Britanisë së Madhe ka bërë që mediat serbe të raportojnë se Kosova po furnizohet me armë nga ky shtet.

E para e shtetit, Vjosa Osmani, të martën ka thënë se këto janë vetëm shpikje të mediave serbe dhe se Kosova nuk po furnizohet me armë nga Britania.

“Tema që Kosova po militarizohet nga të tjerët është temë që ata e shpikin në mënyrë që të ndryshojë narrativat se kinse të gjithë po e bëjnë. Ne tash kemi partneritet me shtetet tjera…Ne nuk kemi marrë armë në kontekstin që po e thotë Vuçiq, por ne jemi partnerë me SHBA-në dhe anëtarët e tjerë të NATO-s, në mënyrë që ta furnizojmë ushtrinë tonë, me mjetet që ka nevojë”, ka thënë ajo në KallxoPernime.

Më 18 prill edhe kryeministri Albin Kurti, raportimet e mediave serbe i kishte quajtur gënjeshtra.

Por si duket është dikush që po u beson raportimeve të mediave serbe. Bëhet fjalë për deputetin e Listës Guxo, Haxhi Avdyli, Listë kjo që është themeluar nga presidentja Vjosa Osmani, raporton Demorkacia.com.

Ai më 17 prill në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kishte treguar emrin e armëve me të cilat është furnizuar ushtria e Kosovës.

“Brnabiq, Vulin dhe ndoshta edhe Ganja tmerrohen që aeroplani madh ushtarak ateron në Prishtinë. Kanë frikë që po rritet buxheti për ushtrinë e që nga Britania na erdhën Javelin dhe NLAW. Sa keq për ta e sa mirë për Kosovën”, kishte shkruar ndër të tjerash Avdyli.

Ai në këtë shkrim po ashtu kishte theksuar se Ushtria e Kosovës po forcohet dhe po ecë përpara me liderë të pashantzhueshëm.

“Fatmirësisht koha dhe njerzit kanë ndërruar, e Kosova është në duar të sigurta. Ushtria po forcohet, Kosova po tregon çdo ditë e më shumë se është serioze e respekton veten, e kontribuon për paqen. Kosova po ecë përpara me liderë të drejtë e të pashantazhueshëm”, kishte shkruar Avdyli ndër të tjerash, raporton më tutje Demorkacia.com.

Mirëpo për këtë aeroplan dhe për raportimet e mediave serbe, të cilat u bënë temë, pati reaguar edhe KFOR-i.

Sipas Misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë , ky aeroplan kishte ardhur nga Britania për të ndihmuar ushtarët britanikë të vendosur në Kosovë.

“Këtë jave, avioni i forcave ushtarake të Mbretërisë ‘A400M’ fluturoi nga Britania në Kosovë, për të kryer një operacion ndihmës për forcat tokësore ushtarake britanike, në KFOR”, thuhet në postimin e publikuar në faqen zyrtare të KFOR-it. /Demokracia.com/

Të ngjashme