Sport
Hashani parashikon ballafaqimet Prishtina – Drita, Llapi – Ballkani: Këto skuadra janë favorite
Demokracia
14:44 | 08 Shkurt 2021

Share:

Ethet e futbollit kosovar rikthehet nesër me dy superndeshje që luhen në kuadër të Kupës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Prishtina në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet e pret Dritën dy kandidatë këta kryesorë për të fituar këtë trofe, por ja që njëra duhet të ndalet qysh në 1/8 e finales së Kupës.

Sfidë shumë joshëse dhe e nxehtë pritet të jetë edhe në Podujevë ku ndeshen Llapi e Ballkani. Ish futbollisti i njohur tash trajner Erdin Hashani, në një bisedë për Demokracia.com ka parashikuar këto dy ndeshje, i cili pret duel shumë të fortë dhe të paqartë deri në fund.

“Është shumë vështirë me ditë se kush mund të kualifikohet sepse është derbi dhe zakonisht në derbi nuk ka favorit, ka thënë Hashani duke shtuar:

“Sa i përket ndeshjes Prishtina – Drita, është shumë e vështirë, sepse janë dy skuadra që kanë qenë më në formë në xhirot e fundit dhe është një përballje shumë interesante. Nëse bazohemi në ndeshjen e Superkupës, atëherë Prishtina ka përparësi dhe nëse Drita nuk ka mësuar nga kjo humbje, atëherë i kisha jep përparësi Prishtinës, edhe pse tek kjo ndeshje është shumë e vështirë me u përcaktua sepse e thash është duel i dy skuadrave më në formë në xhirot e fundit”, ka vlerësuar Hashani.

Një ndeshje tejet joshëse pritet të jetë në “Zahir Pajaziti”, ku Llapi e pret Ballkanin. Llapjanët, gjasat e vetme për të dalë në Europë i ka përmes Kupës së Kosovës dhe nëse dështon nesër, vazhdimin e garave do ta ketë shumë të vështirë.

Sa i përket ndeshjes Llapi – Ballkani, duhet me pa ndryshimet që i ka bërë Ballkani a janë vërtet të duhura në shtabin teknik apo jo. Shkëmbin e pret një test i vërtetë sepse Ballkani e ka synim dhe Kupën e Kosovës dhe titullin kampion. Nëse eliminohet, atëherë unë mendoj që është një dështim për ta. Ndërsa Llapi, mendoj që e ka të vetmen mundësi që përmes Kupës të dalë në Europë, sepse me pikë është shumë mbrapa që ta kap Europën. Duke e parë që Llapi si vendas luan mirë dhe nuk ka zgjidhje tjetër për garat ndërkombëtare këtu i kisha jep përparësi Llapit që do të kualifikohet tutje”, ka përfunduar Erdin Hashani. /Demokracia.com

Të ngjashme