Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar VV-në për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
Hasani, i cili e ka shkruar këtë aktgjykim, ka thënë se objekt i aktgjykimit në fjala nuk ka qenë mënyra e votimit të deputetëve.
Në një opinion të tij të botuar në Koha, Hasani ka shkruar se objekt i atij rasti ka qenë vlerësimi i kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit.
“Objekt i këtij aktgjykimi ka qenë vlerësimi i kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit, i propozuar nga opozita e kohës, një pjesë e së cilës është në pushtetin ekzekutiv, madje si uzurpatorë. Ata që e njohin siç duhet zanatin e juristit, e kuptojnë se çdo aktgjykim ka pjesën operative dhe atë arsyetuese, përveç pjesëve të tjera teknike. Ata zanatlinjtë e mirë e dinë gjithashtu se arsyetimi nuk mund të përdoret veçse në raport me pjesën operative, së cilës i referohet. Në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, për dallim nga ato të gjykatave të rregullta, pjesa operative gjendet në fund. Arsyetimi i aktgjykimeve të Kushtetueses shënohet me paragrafë, të cilët asnjëherë nuk mund të përdoren, siç po ndodh në Kosovë, të izoluar nga pjesa operative dhe nga vetë objekti i kërkesës kryesore të vendosur me aktgjykim. Këtë duhet ta dinë ata që dalin nëpër ekrane televizive dhe nxjerrin paragrafët e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i interpretojnë sipas dëshirës”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se VV-ja nuk duhet t`i ndajnë paragrafët e aktgjykimit të vitit 2014.
“Nga interpretimet e Aktgjykimit të 2014-s, tani dhe në kohën kur është nxjerrë, del se ekzistojnë së paku dhjetë aktgjykime për të njëjtën çështje. Me këtë dua të theksoj shumë qartë se asnjë paragraf nuk ka kuptim të ndarë nga pjesa operative. Në rastin konkret, pjesa operative fare nuk ka të bëjë me mënyrën e votimit, me atë nëse një parti mund të nxjerrë një kandidat për kryetar Kuvendi çdo 48 orë dhe kështu me radhë, por ka të bëjë vetëm me atë nëse zgjedhja e Mustafës, si kandidat i opozitës së asaj kohe, ka qenë kushtetuese. Kaq. Asgjë tjetër”, ka shkruar Hasani, duke shtuar se çështjet aktuale e ngërçit aktual janë krejtësisht të tjera dhe të ndryshme rrënjësisht nga ato të 2014-s.