Lajme
Hasani: Procesi ndaj Thaçit e të tjerëve është politik
Demokracia
23:04 | 14 Gusht 2023

Share:

Nait Hasani bashkëluftëtarë i ish-krerëve të UÇK-së të cilit po gjykohen në Hagë thotë se procesi ndaj tyre është politik.

Por, është i bindur se nuk ka akuzë që mund ta gjykojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai vlerëson se procesi ndaj tyre mund të zgjasë deri në 5 vjet.

“Varet nga prokuroria sa do të jetë e angazhuar me dëshmitarët që do të prezantojnë nëpër seanca. Nëse dëshmitarët do të angazhohen në ato që i ka përcaktuar gjykimi do të zgjasë përafërsisht 5 vjet. nuk besoj që ka akuzë që mund të gjykojë UÇK-në. Ta gjykosh presidentin me dëshmitar të mbyllur është turp i madh. Prokuroria ka implikuar 330 dëshmitar. Është proces i gjatë dhe i mundimshëm. Prokuroria po tenton që me kërcënimin e dëshmitarëve të dëshmojë gjëra të paqena dhe me akuzat që i ka bërë Serbia. Nuk ka ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Ky e quan procesin gjyqësor që po zhvillohet atje si politik, teksa thotë se akuzat janë të improvizura.

“Është një proces politik dhe si i tillë është duke u trajtuar. Edhe presidenti edhe dy kryetarët e kuvendit, Hashim Thaqi Kadri Veseli Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ata trajtohen si ndërmarrje e përbashkët kriminale nga prokuroria speciale. Të jesh një ushtri dhe një vullnet i popullit të jetë një ndërmarrje kriminale kjo është një absurd i kohës dhe që nuk ka mundësi të bazohet në gjykatën speciale. Është një mekanizëm politik i disa strukturave të shteteve të ndryshme e para që i ka pri është Serbia e cila thotë se i kemi 1 milion lëndë. Trafikimi i organeve nuk janë pjesë e gjykimit. Tani kemi të bëjmë me akuzat që janë të improvizuara”

E Avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Artan Qerkini ka vlerësuar që seancat e mbyllura në rastin Thaçi dhe të tjerët mund të dëmtojnë procesin.

“Seancat e mbyllura e dëmtojnë parimin e publicitetit sepse drejtësia e fshehtë është drejtësi e rrezikshme. Ky parim është duke u shkelur në rastet e gjykimit ndaj krerëve të ish UÇK-së”, thotë ai.

Tutje Qerkini ka theksuar se vetëm rasti i prokurorisë ndaj ish krerëve të UCK-së mund të zgjasë 3 vjet.

“Deri më tani procesi ka qenë i përshkuar me vonesa shumë të mëdha. Gjykata duhet të bie një vendim me të cilin do të reduktojë numrin e dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria dhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë jam i bindur se do të shkelet parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Nëse gjykata nuk merr një vendim për të reduktuar numrin e dëshmitarëve atëherë vetëm rasti i prokurorisë mund të marr ndoshta më shumë se 3 vjet. Mirëpo nëse gjykata e redukton numrin e dëshmitarëve atëherë besoj se procesi do të zhvillohet më shpejt”, shprehet avokati.

Katërshja e UÇK-së po gjykohet në Dhomat e Specializuara pranë Gjykatës Specialë në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për çka Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm.

Të ngjashme
Lajme • 16 Qershor 2024