Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani ka folur për mundësinë e adresimit në Gjykatën Kushtetuese të bllokadës së Kuvendit pasi deputetët nuk po arrijnë ta kryejnë konstituimin e tij as pas 7 seancave. Hasani ka thënë se 10 deputetë kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës, por ai ka thënë se ky institucion fillimisht do duhej ta trajtonte çështjen e mandateve. Hasani ka theksuar se Gjykata do duhej t’i anulonte mandatet e deputetëve që po i mbajnë edhe më tej postetnë qeveri, ka thënë ai në të hënën në Politiko të Kanal 10.
“Unë më së pari do t’i anuloja të gjitha mandatet të atyre që janë çertifiku, kanë bërë betim si deputetë dhe po i mbajnë zyret, s’ka më në detyrë. Qeveria ekziston( ajo e Luigjit shteti jam unë, ajo ka kalu), Qeveri në detyrë sipas ligjit dhe Kushtetutës janë ata që janë të dytët, zëvendëskryeministri, zëvendësministrat që nuk janë certifiku për deputetë dhe nuk kanë dhënë betimin për deputetë. Gjykata nuk mundet me anashkalu këtë problem” ka thënë Hasani.
Tutje, ai ka shtuar se Kurti dhe Ministrat që po ushtrojnë funksione në Qeveri janë uzurpatorë, ndërsa vendimet e tyre vepra penale.
“Në aspektin ligjor Kushtetues ata janë uzurpatorë të funksioneve, pa asnjë diskutim. Vendimet që i marrin kanë dimensione penale, shpërdorim i detyrës është. S’mundesh me emëru drejtor të doganave…” ka thënë ai.