Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e sheh si zgjidhje për të shmangur ngërçet politike në konstituim të institucioneve, heqjen e pragut zgjedhor prej 5 për qind për partitë parlamentare, ose uljen e tij në 1 apo 2 për qind.
Në “Interaktiv” të KTV-së, duke folur për ngërçin në Kuvend, që ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit në çdo dy ditë seanca prej 15 prillit, Hasani ka thënë se kjo situatë s’do të përsëritej po që se s’do të kishte prag zgjedhor.
“Për të mos ndodhur ngërçi duhet hequr pragu. Të bëhet loja me më shumë aktorë. Kjo nuk e komplikon më tutje. Vijnë forca e individë të rinj. Jepet mundësi dhe Kuvendi bëhet më garues më divers. Ngërçi jam i bindur se i takon historisë sepse s’ka kush t’i mbajë… t’i abuzojë”, ka thënë ai.
Hasani tek ka folur për dështimet e njëpasnjëshme në Kuvend, ka thënë se përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje që tash të kalohet pas disa votimeve të hapura në votim të fshehtë për emrin e kryeparlamentarit, është kundërkushtetuese. Sipas Hasanit, kjo përpjekje është “uzurpim i funksionit të kryetarit të Kuvendit”.
“Është skenar që u caktua më 8 prill nga kryesia e vjetër me kryetarin dhe forcat politike të kësaj legjislature. Dhe ai nuk mund të ndryshojë fare. Atëherë ka mundur të merreshin vesh për atë mënyrë. Por asnjë send nuk mund të ndryshojë nga ajo që është caktuar aty”, ka shtuar ai.
Hasani ka thënë se për t’i dhënë zgjidhje situatës aktuale duhet të bëhen 10 deputetë për të çuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka thënë se “Kushtetuesja duhet t’i japë rrugë se atë punë e ka”.
Se përse nuk ka dhënë afat për këtë çështje në aktgjykimin e 2014-s, Hasani ka thënë se çështja që i ishte drejtuar Kushtetueses atë kohë ishte emri i Isa Mustafës për kryeparlamentar dhe jo afatet.