Lajme
Hartwell: Llogaridhënia për mizoritë e luftës në Kosovë qëndron mbi supet e Vuçiçit
Demokracia
09:29 | 02 Korrik 2024

Share:

Leon Hartwell, studiues në London School of Economics (LSE) në Britaninë e Madhe, ka thënë se perëndimorët duhet t’i rishqyrtojë marrëdhëniet e tyre me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, instinktet politike të të cilit janë farkëtuar nga ish-udhëheqësi jugosllav, Sllobodan Millosheviç, përgjegjës për krime të luftës dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Ai gjithashtu u shpëtoi pasojave pasi shërbeu si ministër i propagandës së Millosheviçit gjatë Luftës së Kosovës, një konflikt që rezultoi në mbi 13 mijë vdekje dhe shpërngulje të mbi 1.2 milionë shqiptarëve të Kosovës. Imagjinoni për një moment sikur Joseph Goebbels të ishte bërë kancelar i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore nën një fasadë liberale”, ka theksuar ai.

“Përkushtimi i Vuçiçit ndaj së vërtetës dhe llogaridhënies përbën një precedent të rëndësishëm […] Prandaj, përqafimi i së vërtetës për mizoritë e së kaluarës nuk është vetëm një imperativ moral, por edhe një hap praktik drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe paqësore për Ballkanin Perëndimor”, ka potencuar Hartwell në një analizë të fundit autoriale.

E pavarësisht trashëgimisë së errët gjatë lufërave jugosllave dhe rolit të Vuçiçit në nxitjen e urrejtes dhe tensioneve në rajon, ka shtuar ai, presidenti aktual serb vazhdon të portretizohet nga bashkësia e organizuar perëndimore si një forcë demokratike stabilizuese: “Megjithatë, realiteti është larg nga të qenit një zjarrfikës, ai ishte dhe vazhdon të jetë një zjarrvënës”.

“Për më tepër, ka indikacione të forta se regjimi i Vuçiçit mbështeti sulmin terrorist në Banjskë në [pjesën veriore] të Kosovës, një incident i rrezikshëm që kërcënoi të përshkallëzohej në një konflikt më të gjerë rajonal. Autorët gjithashtu nuk janë mbajtur përgjegjës për veprat e tyre. Në vend të kësaj, terroristët e Banjskës u glorifikuan përsëri në Serbi”, ka kujtuar Hartwell.

Ndryshe, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Presidenti i Serbisë ka parashikuar se viti 2024 do të sjellë “shumë më shumë konflikte dhe trazira” në rajon. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore liberale, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.

Të ngjashme