Lajme
Haradinaj tregon nëse do ta votojë Konjufcën ose Limajn për kryetar të Parlamentit
Demokracia
18:47 | 02 Maj 2025

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka refuzuar të komentojë ftesën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ndaj dy partive më të mëdha opozitare, duke thënë se nuk ka qëndrim rreth ftesës dhe takimeve për dalje nga ngërçi aktual politik për shkak të dështimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë.

I pari i AAK-së nuk përjashtoi mundësinë të votojë pro rizgjedhjes së Glauk Konjufcës për kryeparlamentar, nëse Lëvizja Vetëvendosje do të vendoste si kandidat në vend të Albulena Haxhiut, e cila ka dështuar gjashtë herë të merr vota e nevojshme.

Ndërkaq, nuk pati qëndrim të njëjtë kur u pyet nëse do të votonte pro që kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Ne jemi në pritje që Vetëvendosje të reflektojë në kandidaturë, pra ta gjejë një kandidaturë që na bashkon dhe shpresojmë që deri nesër ta kemi ndonjë lajm të mirë, që Vetëvendosje ta nxjerrë një kandidaturë unifikuese. Nëse e bënë këtë, nesër do ta kemi kryetarin apo kryetaren e Kuvendit. Nëse do të kandidojë Glauk Konjufca, a do të votonit? Nuk kemi biseduar për Glaukun, por nuk është problem. Besoj po. Nëse do të jetë Fatmir Limaj? Nuk e di. Nuk kemi qëndrim njëherë, por duhet diskutuar. Si e keni parë ftesën e Kurtit për takim ndaj PDK-së dhe LDK-së? Nuk kam ndonjë koment për këtë pjesë. I kemi qëndrimet tona për Kurtin, për sjelljet e tij, s’kam ndonjë koment për takimin me partitë e tjera”, tha Haradinaj.

Këtë deklarim Haradinaj e bëri pas organizimit solemn në shënimin e 25 vjetorit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Të ngjashme