Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke thënë se ky institucion nuk është krijuar për të mbrojtur interesat e Kosovës, por për të vepruar kundër saj.
Haradinaj ka theksuar se Shteti i Kosovës është “duke i shkuar për shtati” kësaj gjykate, dhe se kjo gjykatë ka treguar se nuk është ndërtuar për të mirën e vendit.
“Shteti i Kosovës është duke i shkuar për shtati Specialës. Mendoj se ajo gjykatë ka treguar se nuk është ndërtuar për të mirën e Kosovës,” ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se fjala “Kosovë” ka pasur një përdorim të njëanshëm në këtë kontekst.
Ai ka potencuar se emri “Kosovë” është përdorur nga kjo gjykatë vetëm për të mundësuar formimin e saj dhe për të sulmuar më pas vendin.
“Fjala Kosovë asaj gjykate iu ka dashur vetëm sa me e mundësu formimin e saj, dhe nëse i duhet prapë emri Kosovë, i duhet vetëm me e sulmu Kosovën,” ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se Gjykata Speciale tashmë ka hequr maskën dhe se është bërë më e qartë që kjo gjykatë nuk ka punuar kurrë për interesat e Kosovës.
“Ajo veç e ka zhveshë maskën e vetë dhe më haptas ajo gjykatë kurr s’ka punuar kundër Kosovës,” ka shtuar ai për FrontOnline.
Përfundimisht, Haradinaj ka bërë të qartë qëndrimin e tij se kjo gjykatë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën, duke thënë se ajo po e tregon gjithnjë e më shumë fytyrën e saj.
“Unë mendoj se kjo gjykatë po e tregon fytyrën e vetë. Kjo gjykatë nuk është e Kosovës,” ka përfunduar ai.
Njëjtë si Serbia, Prokuroria e Hagës i referohet Kosovës me “Kosovë dhe Metohi”