Lajme
Haradinaj e ndërron “bigën” për Kurtin: Nëse nuk dëgjon amerikanët rrëshqet në tradhti, ndalu!
Demokracia
19:14 | 03 Nëntor 2022

Share:

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pas disa ditëve në mbështetje të Kurtit, Haradinaj tani ka thënë se kryeministri nuk ia ka idenë se çfarë po ndodhë në vendin e tij.

Lideri i AAK-së ka thënë se sot i ka kërkuar atij që të ndërrojë kahje, me shfuqizimin e vendimit për targat.

Ai ka thënë se situata po përkeqësohet nga çasti në çast, shkruan Demokracia.com.

“Situata në Kosovë po përkeqësohet nga çasti në çast e Kryeministri nuk e ka idenë se çka po ndodhë me vendin e tij! Sot i kam kërkuar që urgjentisht të ndërrojë kahje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat e të mos e rrezikojë stabilitetin në vend e në rajon. Kosova ka nevojë për marrëveshje për njohje me Serbinë, e jo për populizma që me to t’i shërojë egot e sëmura Kryeministri. Ne nuk e kemi luksin që për tekat e tij, ta rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas ish-kryeministrit Haradinaj, nëse kryeministri aktual nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, “ai sigurt se po rrëshqet në tradhti”.

“Unë s’kam çka i them tjetër përpos që nuk do të lejohet as ai e askush tjetër që ta rrezikojë të ardhmen e vendit. Prandaj ndalu!”, ka shkruar ai në fund. /Demokracia.com/

Të ngjashme