Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka sfiduar Qeverinë Kurti duke publikuar një çmimore të re të faturës së rrymës pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ta shtrenjtuar atë.

Haradinaj në profilin e tij në Facebook ka theksuar diferencën do ta paguajnë vetë qytetarët e jo kryeministri Albin Kurti.

Ai ka theksuar se rritja reale e çmimit të rrymës është fshehur në llogaritarin e ZRRE-së.

“Nuk iu desh shumë që fshehja e llogaritjes së subvencionit të dilte në pah. Rritja e çmimit real të energjisë elektrike u fsheh në llogaritarin e ZRRE-së, por që nuk zgjati shumë. Duhet ta kenë të qartë qytetarët se do të paguajnë edhe faturën që iu vjen në derë, por do të paguajnë edhe subvencionin e Qeverisë, pasi paguhet nga taksat tona. Albin Kurti nuk po e paguan diferencën me paratë e veta, por me paratë e qytetarëve”, thekson ai.

Ndryshe, Bordi i ZRRE-së në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.

Sipas ZRrE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja.