Lajme
Haradinaj përkujton me nderim heronjtë e 31 majit
Demokracia
10:32 | 31 Maj 2025

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë një postim në Facebook duke thënë se 31 maji shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë.

Ai përkujtoi me nderim heronjtë Xhemajl Fetahajn dhe Milazim Shalën, për të cilët tha se me guximin e tyre i dolën përballë rrezikut për ta mbrojtur nderin e atdheut dhe për ta shkruar me gjak historinë e tij.

“Kujtojmë me krenari Operacionin “Shigjeta” të Brigadës 128 të UÇK-së, një ndër betejat më vendimtare kundër okupatorit serb, që i parapriu çlirimit. Trimëria dhe vendosmëria e luftëtarëve të kësaj brigade do të mbetet shembull i përjetshëm i guximit, sakrificës dhe dashurisë për atdheun”, shkroi Haradinaj.

Kreu i AAK-së po ashtu u shpreh se sot shënojmë edhe 26-vjetorin e masakrës mizore ndaj familjes Gërxhaliu, ku 13 anëtarë të një familjeje, fëmijë, gra e pleq, u ekzekutuan pa mëshirë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe në shtëpinë e tyre.

“Selatini, i zoti i shtëpisë dhe njëherësh luftëtar i dalluar i Brigadës 142 “Mehë Uka”, ra atë ditë në përpjekje për të mbrojtur familjen e tij”, kujtoi Haradinaj.

“Sot nderojmë edhe trimat që ranë anekënd vendit; Asllan Hoti, Avni Buqaj, Bahti Buqaj, Beran Gashi, Ejup Bletaj, Ejup Kosumi, Gani Saramati, Safet Ajeti, Safet Peci, Salih Halilaj, Selver Maqkaj dhe Shpend Berisha. Kujtimi për ta është i përjetshëm. Heroizmi dhe gjaku i tyre janë themelet mbi të cilat qëndron liria jonë”, përfundoi postimin e tij kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Të ngjashme