Lajme
Haradinaj për Specialen: Nëse provat vijnë nga Serbia është avantazh për mbrojtjen, si në rastin tim
Demokracia
21:39 | 11 Prill 2023

Share:

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerëson se Kosova nuk duhet të krijojë mosbesim me Gjykatën Speciale në Hagë, por të tregojë se është pro të vërtetës dhe drejtësisë.

“Kosova duhet të mos e thellojë mosbesimin me gjykatën, strategjia ime do të ishte një tjetër që të krijohet një marrëdhënie e besueshme me gjykatën dhe që ta dëshmojmë tek gjykata se ne në Kosovë e dëshirojmë të vërtetën dhe drejtësinë. Pra, e mbrojmë prezumimin e pafajësisë për të akuzuarit pasi është e drejtë ligjore, por ne kemi respekt për viktimat dhe çdo shqetësim tjetër”.

“Duhet ta përkrahim gjykatën që drejtësia të dalë në dritë” deklaroi Haradinaj.

Haradinaj, në Rubikon në Klan Kosova, foli edhe për procesin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, teksa tha se nëse provat vijnë nga Serbia është në favor të mbrojtjes ashtu si në rastin e tij.

“Besoj që Prokuroria e ka bërë maksimumin e vet me mbledh prova, nëse është e vërtetë që shumë prova vijnë prej Serbisë atëherë ky është avantazh për palën mbrojtëse për shkak se gjykata e ka lirinë të vlerësojë se a janë prova të besueshme apo ka ndodh diçka me to ndër vite”.

“Tani e gjithë vëmendja dhe puna duhet të fokusohet tek shpjegimet e duhura tek të gjitha palët. Në rastin tim kemi pasur dëshmi e dëshmitarë nga Serbia dhe institucione të Serbisë por kanë qenë avantazh në rastin tim. Duke qenë në konflikt kuptohet se provat vijnë nga një palë armike që vjen me të dëmtuar edhe në gjykatë” u shpreh Haradinaj.

Të ngjashme